Aktakuzë për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Istogut Haki Rugova, ish-nënkryetarit dhe zyrtarit të gjeodezisë së kësaj komune

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Blerta Kelmendi

11:18 / 24 Shkurt 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Prokuroria Themelore e Pejës në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër ish-Kryetarit të Komunës së Istogut Haki Rugova, për veprën penale “Konflikti i interesi” sipas nenit 424, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, ish-nënkryetarit të Komunës së Istogut, L.B., për veprën penale “Falsifikim i dokumentit”, nga neni 427 paragrafit 1 të KPRK-së, si dhe ndaj zyrtarit të Gjeodezisë dhe Kadastrës në Komunën e Istogut, I.H., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 77, paragrafi 1, pika 1.3 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Haki Rugova, si Kryetar i Komunës së Istogut edhe pse e ka ditur faktin se edhe para shpalljes së ankandit publik, vëllai i tij G.R., ka qenë duke e shfrytëzuar pronën të cilën e ka fituar përmes ankandit, dhe në vend se ta përjashtoj vetën nga kjo çështje zyrtare, i njëjti e rekomandon ish-nënkryetarin këtu të pandehurin L.B., ta nënshkruaj kontratën për kryetarin.

I pandehuri L.B., sipas aktakuzës, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Istogut, pasi ka kuptuar se janë duke u hetuar nga organet e hetuesisë për këtë çështje penale, ka urdhëruar zyrtarin ligjor që të hartojë një dokument i cili kinse ka ekzistuar qysh në vitin  2018, e krejt këtë e bënë me qëllim për të iu shmangur përgjegjësisë penale.

Kurse, i pandehuri I.H., akuzohet se në cilësinë e udhëheqësit të sektorit në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër, duke bërë kundërligjshëm destinimin e pronave me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për kompaninë “Macon”, pronë e vëllait të pandehurit Haki Rugova.

Sipas prokurorit të shtetit me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se tre të pandehurit kanë kryer veprat penale të cilat ju vihen në barrë, andaj edhe i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit. Drejtësia Sot, ka raportuar edhe për arrestimin e ish-kryetarit Haki Rugova, me urdhër të Prokurorisë Themelore të Pejës me 09 tetor 2020, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale të korrupsionit.

Monitoruese: Blerta KELMENDI