AKK konfirmon se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Liridon Salihi

16:20 / 24 Shkurt 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

“Drejtësia Sot” ka siguruar konfirmim nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) se e njëjta, më datë 15 shkurt 2022, ka dorëzuar në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit kallëzim penal ndaj Blerim Isufajt, Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Nga përgjigja e AKK është bërë me dije se kallëzimi penal ndaj Kryeprokurorit Isufaj është bërë për shkak të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” e përcaktuar në nenin 430, paragrafi 2, të Kodit Penal.

Referuar kësaj dispozite, kallëzimi penal ndaj z. Isufaj ka të bëj me pretendimin se i njëjti gjatë deklarimit të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, ka bërë deklaratë të rreme ose nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratë.

Sipas Kodit Penal, kjo vepër penale dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit.

Po ashtu, personit i cili me vendim të formës së prerë shpallet fajtor për këtë vepër penale, do t’i konfiskohet vlera e padeklaruar ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë, të ardhurave, dhuratave ose të dobisë tjetër pasurore.

Lidhur me këtë çështje, “Drejtësia Sot” ka kërkuar informata edhe nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, mirëpo ky institucion, deri më tani, nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.

Kujtojmë që Kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj, është kandidat i konfirmuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, garë në të cilën janë edhe prokurorët Armend Hamiti, Arben Ismajli, Lulzim Sulejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kryeprokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi.

“Drejtësia Sot” do të raportojë në vazhdimësi lidhur më këtë çështje.

Monitorues Liridon Salihi