Zyrtari policor Ziber Susuri, sot ka kërkuar nga Gjykata që ta hedhë poshtë aktakuzën prokurorisë që atë e ngarkon për veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”. Drejtësia Sot, njofton se i pandehuri Susuri këtë deklarim e ka bërë përgjatë shqyrtimit të dytë të mbajtur në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore të Prizrenit.
Përgjatë këtij shqyrtimi, mbrojtësi i pandehurit Ziber Susuri, avokati Hazër Susuri, deklaroi se kërkesën e ka paraqitur me shkrim për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, dhe me çrrast të njëjtit qëndruan në tërësi pranë saj.
Në anën tjetër, prokurori çështjes Metush Biraj pati mendim të kundërt sa i përket pretendimeve të mbrojtjes. Ai theksoi se pretendimet e paraqitura nga mbrojtësi i akuzuarit nuk qëndrojnë dhe një fakt i tillë do të vërtetohet edhe nga provat e grumbulluara përgjatë hetimeve.
Pas deklarimeve të palëve procedurale, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Skender Çoçaj deklaroi se brenda afatit ligjor do të merr vendim lidhur me kërkesën e parashtruar dhe pas përfundimit të procedurës lidhur me këto kërkesa, do ta caktoj shqyrtimin kryesor gjyqësor. Sipas aktakuzës i pandehuri Ziber Susuri, si person zyrtar në cilësinë Komandantit të Nënstacionit Policor në Zhur, dokumentin zyrtar të datës 27.03.2021, të lëshuar kundër kundërvajtëses M.E., nga zyrtari policor V.F., dhe D.K., sipas së cilës fletëparaqitje ajo kishte bërë kundërvajtje nga neni 72.1 mirëpo i njëjti ndërhyn në fletëparaqitje duke shënuar të dhëna të rreme se kinse kundërvajtësja e lartëcekur ka kryer kundërvajtje nga neni 78.1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Tutje aktakuza sqaron se, kundërvajtëses M.E i’u është shqiptuar gjoba në shumë prej 200 euro dhe i është marrë patent shoferi për 3 muaj, mirëpo i pandehuri në këtë rast tek pjesa e gjobës e ndryshon dhe ia bënë gjobën prej 50 euro, anulon masën mbrojtëse dhe pikën negative duke fshirë me laps-kimik edhe vendin ku shkruan “Dokumenti i konfiskuar”. Me këto veprime sipas prokurorisë, ka kryer kryer veprën penale Falsifikimi i dokumentit zyrtar nga neni 427 par 1. sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Drejtësia Sot, ka raportuar vazhdimisht për këtë çështje penale:
Monitorues: Lorik KABASHI
Lajmet në fokus