Takimi i 275-të i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Monitoruar nga Rinon Arifi

12:43 / 21 Janar 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), nën udhëheqjen e kryesuesit Albert Zogaj, këtë të premte ka mbajtur takimin e 275-të me radhë, raporton Drejtësia Sot.

Ky takim kishte gjithsej 17 pika të rendit të ditës, prej të cilave 4 ishin të mbyllura për publikun.

Ndër pikat më të rëndësishme në këtë takim ishte njoftimi për aprovimin e buxhetit nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në këtë pikë u theksua se pavarësisht kërkesave të KGJK-së, nuk është arritur që të ndahet buxheti i mjaftueshëm për funksionimin e mirëfilltë të sistemit gjyqësor. Nga gjithsejtë mbi 38 milionë euro sa ishin kërkuar nga KGJK për vitin 2022, është miratuar buxheti që këtij pushteti i ndan rreth 32 milionë euro.

Lidhur me këtë, kryesuesi Zogaj theksoi se me buxhetin e ri nuk është e mundur që të bëhet funksionalizimi i Gjykatës Komerciale. Ai tha se KGJK ka të lejuara vetëm 44 pozita të reja për gjyqtarë, ndërsa është dashur të jenë më shumë se 90 pozita. 

Në këtë takim gjithashtu është shqyrtuar dhe diskutuar raporti vjetor i punës së Komisionit për Çështje Normative për vitin 2021.

Kryetarja e këtij komisioni, Drita Rexha, njoftoi se gjatë vitit 2021 janë mbajtur gjithsej 36 takime, janë hartuar dhe rekomanduar për miratim 6 rregullore, 1 ndryshim-plotësim i rregullores bazë, 2 udhëzime administrative, 1 ndryshim-plotësim i udhëzimit administrativ bazë dhe akte tjera.

Ajo më tutje vazhdoi duke elaboruar punën e komisionit në hartimin e disa rregulloreve të rëndësishme si Rregullorja për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve, Rregullorja për Rekrutimin, Provimin, Emërimin dhe Riemërimin e Gjyqtarëve, Rregullorja për Procedurat e Rekrutimin dhe Përzgjedhjes se Bashkëpunëtoreve Profesional, si dhe rregulloret për organo gramin e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatave Themelore.

Në këtë mbledhje, KGJK gjithashtu morri vendim që të shpallë konkursin për pozitën e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan si dhe atë të gjyqtarit mbikëqyrës në degën e Kamenicës.

Duke pasur parasysh se komisioni për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve për gjyqtar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme nuk ka rekomanduar asnjërin nga kandidatët e mëparshëm për ketë pozitë, u vendos që ky konkurs të rishpallet dhe të procedohet me përbërjen e njëjtë të komisionit vlerësues.

Një pikë tjetër mjaftë e rëndësishme për të cilën u diskutua në këtë mbledhje, ishte shqyrtimi i draft Rregullores Nr. 01/2022 për Themelimin e Komitetin Këshillëdhënës për Etikë Gjyqësore.

Kryetarja e Komisionit për çështje normative, tha se qëllimi i hartimit te kësaj rregulloreje është qe ky komitet te ndihmojë gjyqtarët me informacione dhe këshilla lidhur me çështje etike, përkatësisht për interpretimin e kodit të etikës profesionale për gjyqtarë dhe ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Themelimin e këtij komiteti e përkrahën të gjithë anëtarët e KGJK-së, të cilët votuan pro për themelimin e tij.

Kurse në fund të pjesës së takimin e cila ishte e hapur për publikun, KGJK vendosi që ti propozojë Presidentes së Republikës së Kosovës, lirimin nga detyra të dy gjyqtareve të cilat së shpejti pritet të arrijnë moshën e pensionimit.

Drejtësia Sot monitoron mbledhjet e KGJK-së në vazhdimësi KGJK miraton tri rregullore dhe zgjedh gjyqtarët mbikëqyrës në degën e Podujevës dhe Gllogocit – Drejtësia Sot (rolpik.org)

Monitoruar nga Rinon Arifi