Gjykata Supreme e Kosovës, ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga ana e Ilhami Gashit dhe ka liruar atë nga akuzat në rastin e njohur si “Pronto”, raporton Drejtësia Sot.
Gashi është liruar nga akuza për dy vepra penale të “Shkeljes së statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, pasi dyshohej se si sekretar i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ka krijuar privilegje apo përparësi për disa persona në punësim në organe publike.
Në vendimin e siguruar nga ana e Drejtësia Sot, thuhet se Gjykata Supreme e Kosovës, pas shqyrtimit të kërkesës së të akuzuarit, ka ardhur në përfundim se pretendimi i mbrojtësit të të pandehurit është i bazuar, ngase aktgjykimet e kundërshtuara janë marrë në shkelje të ligjit penal, pasi që vepra për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor dhe është dënuar nuk është vepër penale.
Në arsyetim të vendimit thuhet se mënyra e përshkrimit të diapozitivit të parë dhe të dytë të aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë e bën tërësisht të paqartë edhe mënyrën e veprimit të të pandehurit, pasi që është konstatuar se janë arritur që të dy qëllimet e dispozitës ligjore.
Sipas supremes, kjo njëkohësisht e bën të paqartë qëllimin e veprimit të pandehurit, përkatësisht aspektin subjektiv të tij, se a kishte qëllim i pandehuri dhënien e përparësisë në punësim personave të punësuar në këtë rast A.D. dhe B.C., apo mohimin e punësimit të personave të tjerë.
Më tutje thuhet se gjykata e shkallës së dytë fillimisht do të duhet të ishte e vëmendshme në përcaktimin e formës së kësaj vepre penale dhe më pas të shkohej një hap tutje duke konstatuar se bazuar në provat e administruara a janë përmbushur apo jo elementet e kërkuara.
Ndër të tjera, në këtë vendim potencohet se gjykata e shkallës së dytë nuk ka vlerësuar në raport me provat e administruara pjesën e krijimit të privilegjeve e as të mohimit të punësimit të personave që kishin aplikuar në konkurset përkatëse dhe veçanërisht nuk është theksuar fakti se në çfarë mënyre i është mohuar apo kufizuar e drejta e punësimit personave që ishin në garë.
Pra konkludimi i mohimit të punësimit nuk është theksuar se në bazë të cilës provë konkrete është vërtetuar apo është konstatuar fakti se kandidatëve të tjerë që nuk janë përzgjedhur u është mohuar punësimi vetëm për shkak të pikëpamjeve të tyre politike.
Kujtojmë se me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit, Ilhami Gashi është dënuar me gjithsejtë 1 vit e 4 muaj burgim me kusht për dy pika të aktakuzës që kishin të bënin me veprën penale të shkeljes së statusit të barabartë të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Atij gjithashtu iu është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 viteve.
Ndërsa sa i përket të akuzuarve Adem Grabovci dhe Sadat Gashi, kjo gjykatë njofton se është vërtetuar vendimi i gjykatës së shkallës së parë, me të cilin janë liruar nga akuza.
Përndryshe, Gjykata Supreme e Kosovës më datë 19 prill 2021, ka marrë vendim për kthim në rivendosje në Gjykatën e Apelit rastin e njohur si ‘Pronto’. Me anë të këtij vendimi kjo gjykatë ka miratuar kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësve të të dënuarve Adem Grabovci dhe Sadat Gashi, kurse sipas detyrës zyrtare edhe për të dënuarin Ilhami Gashi, duke anuluar kështu pjesët dënuese të aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës në Prishtinë-Departamenti Special APS.nr.17/2020 të datës 30.06.2020 dhe aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës PA.II.nr.3/2020 të datës 29.09.2020 dhe duke kthyer kështu çështjen penale shkallës së dytë – Gjykatës së Apelit në rigjykim.
Në vendimin e saj Gjykata Supreme e Kosovës, kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së dytë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 nënpar.1.12 lidhur me nenin 370 par. 7 të KPPK-së për shkak se nuk janë dhënë arsye të qarta dhe konkrete të cilat shkelje konsistojnë në pjesën e arsyetimit për ekzistimin e veprës penale dhe përgjegjësisë penale të të dënuarve sa i përket elementeve të veprave penale për të cilat janë shpallur fajtor të dënuarit.
Po ashtu kujtojmë se me parë, Gjykata e Apelit më 30 qershor 2020, kishte marr aktgjykim me të cilin kishte dënuar Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sadat Gashin, për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës se Kosovës” nga neni 193 par. 4 të KPRK-së. Sipas këtij vendimi, Adem Grabovcit, si dënim unik i ka shqiptuar dënim prej 1 viti e 2 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në raste se i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 2 viteve.
Të akuzuarin Ilhami Gashi, si dënim unik i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 4 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 2 viteve. Të akuzuarin Sadat Gashi, Apeli i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në raste se i akuzuari nuk kryen vepër penale në kohëzgjatje prej 1 viti.
Kurse gjykata në mbështetje të nenit, 62, 63 dhe 65 të KPRK-së, ka shqiptuar dënim plotësues si më poshtë: Të akuzuarit Adem Grabovci, i ndalohet e drejta për tu zgjedhur për periudhën 2 vjeçare dhe po ashtu i ndalohet ushtrimi i funksionit publik për periudhën 2 vjeçare. Ndërsa të akuzuarit Ilhami Gashi, Gjykata e Apelit si dënimi plotësues i ka hequr të drejtën për tu zgjedhur në periudhën 2 vjeçare si dhe i ka ndaluar ushtrimin e funksionit në administratën publike apo shërbimin publik. Së fundmi të akuzuarit Sadat Gashi, Apeli në kuadër të dënimit plotësues i ka ndaluar e ushtrimit të funksionit publik apo shërbimit publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast Apeli liron nga të gjitha akuzat Adem Grabovcin për rastin “Pronto” – Drejtësia Sot (rolpik.org)
Monitoruar nga Rinon Arifi
PKR.nr. 90/18
Lajmet në fokus