Është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ndaj shefit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Kadastër në Novobërdë, Selatin Beqiri, në rastin ku po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Drejtësia Sot. Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, bashkë me Beqirin, në këtë rast po akuzohet edhe Osman Ramadani për veprën penale heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave.
Prokurori i lëndës Isuf Sadiku, në fjalën përfundimtare ka deklaruar se mbetemi në tërësi pranë aktit akuzues ndaj të akuzuarve, për shkak të veprave penale siç janë në aktakuzë. Prokurori Sadiku ka shtuar se këto vepra penale, janë argumentuar gjatë administrimit të provave materiale si dhe provave personale gjatë kësaj procedure gjyqësore.
Prokurori Sadiku në fund të fjalës së tij, ka propozuar që në bazë të provave të administruara të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen konform Kodit Penal të Kosovës me një dënim meritor, ndërkaq për llojin dhe lartësinë e dënimit ka propozuar që të merren parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese.
Në anën tjetër, avokatët e të akuzuarve Selatin Beqiri dhe Osman Ramadani, fjalën e tyre përfundimtare gjykatës ia kanë dorëzuar me shkrim, duke shtuar se me asnjë provë të vetme nuk janë vërtetuar pretendimet e akuzat ndaj të akuzuarve, duke i propozuar gjykatës që të marr aktgjykim lirues për të njejtit.
Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet me datë 22 janar në ora 9:00, ka njoftuar kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Agim Ademi.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, i akuzuari Selatin Beqiri me veprimet e tij me datë 2 nëntor 2018, Osman Ramadanit i ka lëshuar leje për mbindërtimin e një objekti në fshatin Pasjak, Komuna e Novobërdës para se drejtori i Inspeksionit të merr aktvendimin për ndalimin e këtij mbindërtimi, ku ky i fundit kishte dalur në vend të ngjarjes me datën 1 nëntor 2018, në të cilën datë e ka shirituar objektin e mbindërtimit.
Ndërkaq, i akuzuari tjetër Osman Ramadani, pasi kishte pranuar aktvendimin për ndërprerjen e punimeve për objektin e mbindërtimit, në mënyrë të paautorizuar ka hequr shenjën zyrtare dhe ka vazhduar me punimet në mënyrë të kundërligjshme.
Drejtësia Sot në vazhdimësi ka raportuar këtë rast
Monitoruese: Ronita Halimi
Lajmet në fokus