Pranon fajësinë zyrtari i Ministrisë që kërkoi ryshfet nga fermeri për përfitimin e subvencioneve

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

13:43 / 19 Janar 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, është paraqitur zyrtari i lartë për produktet e qumështit dhe mishit në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Blerim Asllani i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Drejtësia Sot.

Në seancën e shqyrtimit fillestar të së mërkurës, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shaban Spahiu, i akuzuari Blerim Asllani është deklaruar i fajëshëm për veprën penale për të cilën akuzohet.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Islam Thaçi, ka aprovuar pranimin e fajësisë ndaj të akuzuarit, me arsyetimin se pranimi i fajësisë është bërë pas konsultimeve të mjaftueshme me avokatin si dhe me vullnetin e tij.

Tutje, seanca e shqyrtimit fillestar  ka vazhduar me deklaratat e palëve lidhur me dënimin, ku prokurori Spahiu, i ka propozuar gjykatës që me rastin rastin e lartësisë dhe llojit të dënimit të marrë për bazë të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese.

Mbrojtësi i të akuzuarit Blerim Asllani, avokati Zijadin Spahiu, ka kërkuar nga gjykata zbutjen e dënimit pasi që sipas tij, janë plotësuar të gjitha rrethanat ligjore për zbutjen e dënimit.

I akuzuari Blerim Asllani e ka mbështetur në tërësi fjalën e mbrojtësit të tij, duke shtuar se është penduar për atë që ka ndodhur, dhe duke i premtuar gjykatës se nuk do të përsërisë më vepra të tilla penale.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet me datën 20 janar në ora 13:00, ka njoftuar gjyqtari Islam Thaçi.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Blerim Asllani, si person zyrtar-inspektor terreni për subvencione i caktuar përkohësisht me vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, për regjionin e Gjilanit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror-financiar, për vete, ka kërkuar nga fermeri i bujqësisë Nasuf Abazi 300 euro për t’ia pranuar dokumentacionin, për përfitimin e subvencioneve në bujqësi, me pretekstin se kinse njëra nga ngastrat sipas dokumentacionit që ka aplikuar nuk përputhet me të dhënat në terren, edhe pse e njëjta ka qenë në rregull.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari Nasuf, fillimisht ka refuzuar duke u sqaruar se dokumentacioni është në rregull edhe me gjendjen faktike në terren, por megjithatë, i akuzuari atë ngastër nuk e ka vlerësuar pozitivisht me procesverbal për të marrë subvencione për të, andaj i dëmtuari është imponuar që fillimisht t’i thotë se po ia jep 300 euro, por në fakt i njëjti për këtë, komunikon përmes mesazheve me Ministrinë e bujqësisë edhe me policinë, dhe kur i akuzuari mëson për këtë, përmes një personi tjetër i dërgon vlerësimin pozitiv edhe për këtë ngastër.

Me këto veprime, i akuzuari dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit” nga neni 421 par.1 të Kodit Penal të Kosovës.

Monitoruese: Ronita Halimi