Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj gjyqtarit Sali Berisha, i akuzuar për dy vepra penale, marrje ryshfeti dhe armëmbajtje pa leje, raporton Drejtësia Sot.
Konkretisht, Sali Berisha po akuzohet se si gjyqtar i Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Pejë, ka pranuar 2 mijë euro ryshfet për të shqiptuar një dënim më të ulët për një të akuzuar.
Po ashtu kjo aktakuzë e ngarkon Berishën edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje, për arsye se me rastin e bastisjes në vendbanimin e tij iu është gjetur një revole me 10 fishekë, të cilën e posedonte pa leje të organeve kompetente.
Njëri prej avokatëve mbrojtës të të akuzuarit Sali Berisha, av. Veton Berisha, ka njoftuar gjykatën se i mbrojturi i tij për shkak të arsyejeve shëndetësore, dhe hospitalizimit të tij në Spitalin e Pejës, nuk ka mundur të prezantoj në ketë shqyrtim gjyqësor, si dhe gjykatës i ka prezantuar një pjesë të dokumentacionit mjekësor ndërsa pjesën tjetër të dokumentacionit do të ja përcjell përmes emailit zyrtar.
Kurse edhe dëshmitari i cili ishte planifikuar të dëgjohet sot Z.S, për shkak të angazhimeve të tij profesionale ka njoftuar Prokuroren Speciale Ilirjana Collaku Tafa, se nuk do të mund të jetë prezent në ketë shqyrtim.
Andaj në mungesë të kushteve ligjore, kryetari i trupit gjykues Mentor Bajraktari ka shtyrë seancën për datat 24 shkurt dhe 15 mars 2022 me fillim nga ora 09:30.
Kujtojmë se sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga prokurori Dren Paca, gjyqtari Sali Berisha akuzohet për veprat penale “Marrje ryshfeti” për shkak se si person zyrtar ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga dëshmitari F.Z., në mënyrë që të shqiptoj një dënim më të favorshëm për një çështje penale ku i akuzuar ishte vëllau i tij.
Aktakuza më tutje sqaron se pas takimit që kishte me dëshmitarin F.Z. në një nga kafiteritë e qytetit të Pejës, ish-gjyqtari Berisha kishte shkuar tek vetura e dëshmitarit ku kishte pranuar shumën prej 2000 eurove dhe pas dakordimit me të, si kryetar i trupit gjykues kishte marrë aktgjykim me të cilin vëllaut të dëshmitarit i kishte shqiptuar dënim me kusht për dy vepra penale të kontrabandimit me migrantë.
Po ashtu kjo aktakuzë e ngarkon Berishën edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje, për arsye se me rastin e bastisjes në vendbanimin e tij iu është gjetur një revole me 10 fishekë, të cilën e posedonte pa leje të organeve kompetente.
Drejtësia Sot monitoron në vazhdimësi këtë rast:
Monitoruar nga Elvira Rrahmani
Lajmet në fokus