Mungon i dëmtuari, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-drejtoreshës për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi në Komunën e Klinës

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Blerta Kelmendi

11:47 / 18 Janar 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës së Pejës, sot ka filluar shqyrtimi  gjyqësor në rastin ku për keqpërdorim detyre po akuzohet Njomza Grabanica, raporton Drejtësia Sot.

Pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata e Apelit, për këtë çështje penale sot u hap shqyrtimi gjyqësor.

Përderisa mbrojtja propozoi që të mos lexohet sërish aktakuza, e njëjta u konsiderua e lexuar dhe kësisoj gjykata e ftoi të akuzuarën Grabanica të deklarohet lidhur me fajësinë. E akuzuara Grabanica, njëjtë sikur në seancën e shqyrtimit fillestar u deklarua e pafajshme ndërsa gjykimi vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse.

Prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, në fjalën e saj hyrëse tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarës Grabanica, do të dëgjohet rrëfimi i tre të dëmtuarve dhe nga dëshmia e tyre do të kuptoni arsyen e mos zgjidhjes së lëndëve të parashtruara në drejtorinë e udhëhequr nga e akuzuara. Po ashtu ajo shtoi se aktakuza është e bazuar në prova të ligjshme në bazë të të cilave në fund të këtij shqyrtimi e akuzuara do të shpallet fajtore. 

Ndryshe mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Artan Qerkini, tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk do të vërtetohet se ajo e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Tutje ai shtoi se në këtë rast nuk ka përgjegjësi penale, pasi që e akuzuara nuk ka vepruar në kundërshtim me ligjin për vetëqeverisje lokale dhe statutin e Klinës ashtu siç thuhet në aktakuzë.

Meqenëse, në aktin akuzues janë të propozuar tre të dëmtuar dhe në gjykimin e sotëm mungonte njëri nga ta, gjykata e ndërpreu seancën. Tutje gjyqtari i rastit Sami Sharaxhiu tha se sipas fletë kthesës rezulton se i dëmtuari J.A., nuk gjendet në Kosovë dhe se do të urdhërohet stacioni policor në Klinë të vërtetojë vendndodhjen e tij.

Seancat e radhës për këtë çështje penale u caktuan me datën 16 dhe 17 mars duke filluar në orën 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur me datën 30 prill 2021, nga Prokuroria e Pejës, Grabanica, akuzohet se nga viti 2018 e gjerë në fund të vitit 2020, në Komunën e Klinës, në cilësinë e Drejtoreshës në Drejtorinë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e saj zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të përcaktuara me Ligjin mbi Vetëqeverisje Lokale dhe Statutin e Komunës së Klinës, në dëm të gjeodetëve të licencuar, këtu të dëmtuarve B.V., J.A. dhe I.S., në atë mënyrë që e pandehura në mënyrë të heshtur e ka mbajtur qytetarin A.N., në zyre, ku ky i fundit ka punuar në këtë drejtori në cilësinë e gjeodetit pa kontratë pune dhe pa ndonjë vendim të komunës së Klinës.

Tutje sipas aktakuzës thuhet se A.N., në këtë drejtori në cilësi të gjeodetit ka punuar nga data 02.01.2019 gjerë me 13.01.2019, pastaj nga data 23.02.2019 gjerë me 31.03.2019 dhe nga data 01.10.2019 deri me 30.06.2020, me pas e pandehura në kundërshtim me nenin 16 pika 7, të Udhëzimit Administrativ (UA) të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) nr.12/19, e ka pajisur me autoritet zyrtar të njëjtin.

Me ç’rast ka kërkuar nga AKK-ja që A.N., ti lejojë qasje në të dhëna zyrtare të AKK-së, e cila qasje ju ka lejuar dhe vazhduar deri me 11.09.2020, ku gjatë kësaj periudhe dëshmitari A.N., në cilësinë e praktikantit dhe me dijeninë e të pandehurës jo vetëm që nuk i kishte realizuar kërkesat e të dëmtuarve për blerjen e produkteve kadastrale, por i njëjti ishte ngarkuar edhe me instrumentin matës gjeodezik “ZKK-Klinë 2” dhe me të ka pasur qasje në sistemin e pozicionimit të Kosovës (KOPOS) gjatë periudhës 2019-2020, duke e përdorur këtë instrument pas orarit të punës, gjatë ditëve të vikendit në disa raste edhe për punë private, në kundërshtim me UA të MMPH nr.13/2019. 

Drejtësia Sot, është duke raportuar në vazhdimësi për rrjedhën e kësaj çështje penale.

Monitoruese: Blerta Kelmendi