Këtë të hënë, në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar gjykimi ndaj L.B, ish-drejtor i ndërmarrjes së re “Llamkos” dhe tre të akuzuar tjerë me inicialet D.M., I.P. dhe M.C, të cilët po përballen me akuzën e prokurorisë speciale për disa vepra penale, raporton Drejtësia Sot.
L.B., D.M., I.P. dhe M.C. po akuzohen për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi, ndërsa L.B. po gjykohet edhe për shpërlarje të parave.
Me të filluar seanca e sotme, gjyqtari i Departamentit Special, Arben Hoti, konstatoi mungesën e të akuzuarit D.M.
Gjyqtari Hoti tha se me datë 27 janar 2022 ka pranuar një parashtresë nga ana e avokatit të të akuzuarit, me anë të së cilës ka njoftuar gjykatën se i akuzuari nuk mund të jëtë i pranishëm në këtë gjykim për shkaqe personale.
Andaj në mungesë të kushteve ligjore kjo seancë nuk u mbajt, ndërsa ajo e radhës u caktua më datë 1 mars 2022.
Sipas aktakuzës së prokurorisë speciale, të datës 9 tetor 2020, e cila përfaqësohet nga prokurorja Florije Shamolli, të akuzuarit D.M, A.K. dhe I.P. po akuzohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi, pasi që si bashkëpronarë të një kompanie nga Ferizaj, gjatë vitit 2005 i kishin shitur karburante naftë dhe gaz, ndërmarrjes së re “Llamkos”, në emër të kompanisë fiktive, në vlerë prej më shumë se 243 mijë euro.
Sipas aktakuzës, në këtë ndërmarrje është faturuar shitja e mallit- llamarinë e zinkuar për një kompani fiktive si blerës, në vlerë të përgjithshme prej më shumë se 487 mijë euro, e më pastaj një pjesë e mallit në vlerë prej më shumë se 220 mijë euro është transportuar në depon e një fabrike në Ferizaj, me urdhërin e të akuzuarit L.B i cili në këtë kohë ishte drejtor i ndërmarrjes “Llamkos”.
Aktakuza më tutje thotë se ky mall asnjëherë nuk është paguar dhe ende figuron si borxh ndaj “Llamkos”.
L.B., gjithashtu akuzohet se si drejtor i ndërmarrjes “Llamkos”, ka faturuar shitjen e mallit – llamarinë e zinkur për disa kompani, i cili mall është transportuar tek to por nuk është është paguar asnjëherë. Akti akuzues pretendon njëra ndër kompanitë ku është transportuar ky mall, ka qenë edhe kompania ku pronar ishte i pandehuri tjetër M.S..
Aktakuza sqaron se në periudha të ndryshme, nga arka e ndërmarrjes “Llamkos”, me urdhër të të akuzuarit L.B iu ishin paguar personit V.J., shuma prej rreth 300 mijë euro.
Ndërsa i akuzuari L.B., po akuzohet edhe për shpërlarje të parave, pasi që kishte përfituar nga të akuzuarit I.P., A.K. dhe D.M. një parcelë në fshatin Nerodime e Epërme të Ferizajt, edhe pse e kishte ditur se pasuria buron nga aktiviteti kriminal. Sipas aktakuzës, këta persona kishin lidhur kontratë për shitblerje të kësaj parcele me qëllim të fshehjes dhe maskimit të burimit të prejardhjes së pasurisë, prandaj edhe shuma e paraqitur në kontratë asnjëherë nuk ishte paguar nga i akuzuari L.B.
L.B po ashtu akuzohet se me dashje duke ditur se pasuria e fituar buron nga aktivitet kriminal, me qëllim fshehjes së burimit ilegal të saj, respektivisht për shërbimin e kundërligjshëm të kryer në dobi të pandehurve D.M., A.K. dhe I.P., ka pranuar shumën prej 100 mijë eurove nga i akuzuari D.M.
Përveç kësaj, aktakuza gjithashtu sqaron se L.B kishte themeluar një kompani, duke deponuar shuma të ndryshme të hollave për të fshehur apo maskuar burimin ilegal të mjeteve financiare të përfituara nga aktiviteti i kundërligjshëm.
Vlen të theksohet se dy pika të aktakuzës në këtë rast janë hedhë poshtë për shkak të parashkrimit absolut, ndërsa poashtu është pushuar procedura penale ndaj të akuzuarit A.K. për shkak të vdekjes së tij.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast
Monitoruar nga Rinon Arifi
Lajmet në fokus