Në Gjykatën Themelore në Gjakovë-Departamenti për Krime të Rënda kanë shfrytëzuar të drejten e tyre ligjore që të mbrohen në heshtje ish-Kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, Ismet Isufi dhe Veli Hajdaragës, ndërsa i akuzuari Gani Rama dha mbrojtjen e tij me deklarim, raporton “Drejtësia Sot”.
Ish-kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, si dhe Ismet Isufi dhe Gani Rama, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga, po akuzohet për mashtrim me subvencione.
Mbrojtjen së pari e ka dhënë i akuzuari Gani Rama. I njëjti gjatë mbrojtjes së tij theksoi se mbetet pranë deklarimeve të mëparshme.
Tutje, ai sqaroi edhe njëherë pozitën e tij të cilën ka pasur në rastin e nënshkrimit të urdhërpagesave.
Ndërsa, të akuzuarit Pal Lekaj, Ismet Isufi dhe Veli Hajdaraga deklaruan se do mbrohen në heshtje.
Pas kësaj, gjykimi vazhdoi me dhënien e fjalës përfundimtare nga ana e prokurorit Atdhe Dema i cili deklaroi se lidhur me këtë rast është deklaruar edhe më parë në shqyrtimin e kaluar andaj mbetet pranë asaj fjale përfundimtare.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Rama, avokati Ndrec Dodaj në fjalën e tij përfundimtare theksoi se i mbrojturi i tij asnjëherë nuk ka ushtruar detyrat e zyrtarit kryesor financiar në kohën që pretendohet në aktakuzë.
Madje, ai shtoi se ky hetim është shumë selektues dhe në këtë aspekt kërkon që ndaj të mbrojturit të tij të shpallet aktgjykim lirues.
Mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Arianit Koci në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se Gjykata e Apelit në mënyrë të qartë i ka dhënë vërejtjet, por sipas tij prokurori nuk është munduar fare t’ia bëj të qartë gjykatës të gjitha vërejtjet që janë bërë nga Gjykata e Apelit.
Po ashtu, ai shtoi se Gjykata e Apelit në vendimin e saj thekson se gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të vërtetoj kohën e kryerjes së veprës penale, andaj sipas avokatit Koci gjykata duhet që ndaj të mbrojturit të tij të shpallë aktgjykim lirues.
Të njëjtin mendim me avokatin Koci ishte edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Isufi, avokati Bajram Morina. Tutje, avokati Morina shtoi se mbetet pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar.
Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Veli Hajdaraga, avokati Agim Muhaxhiri deklaroi se mbetet pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar.
Së këndejmi, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Shaqir Zika njoftoi se seanca për shpalljen e aktgjykimit do të mbahet me datën 21 janar 2022.
Ndryshe, me 10 prill të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Kosovës, kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës Pal Lekajt dhe të tjerëve.
Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë kaluar edhe kompetencat ligjore, sepse përveç fondit për subvencione, ata për subvencione kanë përdorur edhe linjat tjera buxhetore të Komunës së Gjakovës, duke i shkaktuar asaj një dëm të mundshëm deri rreth 250 mijë euro.
Në këtë rast, akuzohet dhe Veli Hajdaraga, i cili, sipas organit të akuzës, gjatë periudhës 2008-2015, ka dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe se ka lejuar që në vend të fermerëve që kanë qenë në lista për të marrë subvencione, të marrin persona tjerë që nuk kanë pasur të drejtë.
I akuzuari Hajdaraga, përveç veprës penale të mashtrimit me subvencione, akuzohet edhe për shmangie të tatimit në shumë prej rreth 35 mijë eurosh, sepse sipas prokurorisë, ai me qëllim të shmangies së pagesave të tatimit, ka deklaruar të ardhura më të vogla se ato në realitet për kompaninë e tij, “UNION-VL”.
Prokuroria Speciale në aktakuzë ka treguar se numri i fermerëve që është dashur të intervistoheshin është mbi tre mijë, andaj me një numër të të intervistuarve është fituar trendi se 40% e përfituesve të subvencioneve nuk i kanë pranuar fare ato. Andaj, shuma e saktë e dëmit të shkaktuar që është mundur të vërtetohet nga fermerët e intervistuar, sipas aktakuzës, është rreth 70 mijë euro.
Ndërsa Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me 26 maj 2016, kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Gani Ramës, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore 2008 – 2012, Gani Rama, në cilësinë e personit zyrtar, financiar në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëme personit tjetër, kishte lejuar alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare.
Aktakuza më tutje shpjegon se kjo kishte të bënte me pagesat që i janë bërë biznesit “DPT Union-VL”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve pa asnjë procedurë, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta. Sipas prokurorisë shuma e keqpërdorur pretendohet të jetë 218.956.67 euro.
Ndër tjerash, vlen të theksohet se ky rast tanimë është i shenjëstruar për liberalizim te vizave. Drejtësia Sot, ka raportuar edhe më parë në lidhje me këtë rast:
MONITORUESE: QENDRESA BYTYQI
Lajmet në fokus