Kuvendi i Kosovës zgjedh anëtarin e KGJK-së nga radhët e komuniteteve tjera

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Liridon Salihi

15:27 / 24 Janar 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Me shumicë votash nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Fahret Vellija, më 21 janar 2021, është zgjedhur anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nga radhët e komuniteteve tjera, raporton Drejtësia Sot.

Më këtë rast, i përzgjedhuri konsiderohet anëtar i KGJK-së dhe i njëjti në këtë pozitë ka mandat pesë (5) vjeçar.

Fahret Vellija është gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prizren nga viti 2017, kurse nga viti 2012 deri në vitin 2014, ai ka punuar si zyrtar ligjor pranë Federatës së Sindikatave Shëndetësore të Kosovës.

Nga viti 2014 deri në vitin 2016, z. Vellija ka punuar si bashkëpunëtor profesional në zyrë noteriale, ndërsa më pas deri në vitin 2017, ka ushtruar pozitën e bashkëpunëtorit profesional në Gjykatën Themelore në Prizren.

Kujtojmë që konkursi për dy anëtarë të KGJK-së, njëri nga komuniteti serb dhe tjetri nga komunitetet e tjera, ishte shpallur me 6 tetor 2021 dhe ka qenë i hapur deri më 25 tetor 2021.

Më datë 26 nëntor 2021, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsioni (Komisioni), kishte intervistuar kandidatët për pozitën e anëtarit të KGJK-së nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Kosovë.

Në fazën e intervistimit kishin prezantuar vetëm kandidatët Fahret Vellija dhe Osman Cucovic, ndërsa kishte hequr dorë nga konkurrimi kandidati Ahmet Imami.

Pas mbledhjes së të gjitha poenëve nga anëtarët e Komisionit, nga 100 pikë sa është totali i vlerësimit, kandidati Vellija është poentuar me 84 pikë ndërsa kandidati Cucovic është poentuar me 69 pikë.

Kujtojmë që Kuvendi i Kosovës kishte në procedurë edhe zgjedhjen e një anëtari të KGJK-së nga radhët e komunitetit serb, ku në garë për këtë pozitë ishin Dragica Jakovljevic dhe Milena Gjeriq,

Mirëpo, në seancën e datës 21 janar 2022, asnjëra kandidate nuk ka arritur t’i marrë votat e mjaftueshme, prandaj konkursi për këtë pozitë do të ri-shpallet.

Referuar Kushtetutës së Kosovës, KGJK përbëhet nga 13 anëtarë, ku shtatë prej tyre do të jenë gjyqtarë të zgjedhur nga gjyqësori, ndërsa gjashtë të tjerë zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Anëtarët e KGJK-së që vijnë nga radhët e gjyqësorit zgjidhen direkt nga ana e kolegëve të tyre dhe këtu bëjnë pjesë dy gjyqtarë nga Gjykata Supreme e Kosovës, dy gjyqtarë nga Gjykata e Apelit dhe tre gjyqtarë nga radhët e gjykatave themelore.

Nga data 6 gusht 2021, KGJK në përbërjen e saj kishte 10 anëtarë, pasi që anëtari i saj i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, gjyqtari Driton Muharremi, kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kjo pozitë.

Mandati i të gjithë anëtarëve të KGJK-së, pa marrë parasysh nëse zgjidhen nga gjyqësori apo nga Kuvendi i Kosovës, është 5 vjeçar dhe pa mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat tjetër.

Linku nga lajmi paraprak:

Monitorues Liridon Salihi