Kryetarët e gjykatave prezantojnë raportet e punës për vitin 2021

Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

10:18 / 28 Janar 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), sot ka mbajtur takimin e 276-të më radhë, në të cilin mori pjesë edhe anëtari i ri i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, gjyqtari Fahret Vellija, raporton Drejtësia Sot.

Pjesa më e madhe e këtij takimi kishte të bënte me raportimin e kryetarëve të gjykatave për vitin 2021, ku ishin të përfshira të dhënat për numrin e lëndëve në punë, numrin e lëndëve të pranuara, të kryera dhe atyre të mbetura.

Po ashtu, gjatë raportimit të tyre, kryetarët shpalosen përpara anëtarëve të KGJK-së edhe sfidat gjatë punës së tyre si numri i vogël i gjyqtarëve, numri i madh i lëndëve, mungesa e infrastrukturës në gjykata, vonesat në ndërtimin e objekteve të gjykatave, numri i vogël i përkthyesve etj.

Fillimisht, anëtarët e KGJK-së kanë dëgjuar raportimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, për punën e këtij institucioni gjatë vitit 2021. Në prezantimin e raportit të punës, z. Peci theksoi se Gjykata Supreme e Kosovës gjatë kësaj periudhe ka miratuar pesë udhëzues, ka trashëguar 392 lëndë të të gjitha natyrave, ka pranuar 1 mijë e 586 lëndë tjera, ka zgjidhur 1 mijë e 572 lëndë, ndërsa kanë mbetur në punë për vitin 2022 edhe 406 lëndë.

Në aspekt të efikasitetit i bie që kjo gjykatë ka kryer 79,5% të lëndëve që ka pasur në punë. Mirëpo, nëse merret raporti i numrit të lëndëve të pranuara me ato të zgjidhura, rezulton se Gjykata Supreme e Kosovës ka treguar rreth 100% efikasitet në zgjidhjen e lëndëve.

Kryetari i Supremes theksoi se gjatë vitit të kaluar si Autoritet Kompetent ka pranuar 16 ankesa disiplinore ndaj gjyqtarëve, ku vetëm 1 nga këto është drejtuar në KGJK si kërkesë për fillim të procedurës disiplinore kurse dy kërkesa tjera janë dërguar sipas detyrës zyrtare.

Referuar këtij raporti, sa i përket kërkesave për qasjen në të dhëna zyrtare, gjatë vitit 2021, kjo gjykatë ka pranuar 47 kërkesa dhe ka dhënë përgjigje në 44 prej tyre, ndërsa në total ka publikuar 2 mijë e 195 vendime.

Tutje, takimi ka vazhduar me raportimin e punës së Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, për vitin 2021, të cilin e paraqiti Gjyqtari mbikëqyrës, Ilmi Bajrami. Më këtë rast, u bë e ditur se ky institucion ka zgjidhur 3 mijë e 343 lëndë, ndërsa në punë mbesin edhe 15 mijë e 655 lëndë të tjera. Për më tepër, z. Bajrami theksoi se mbetet sfidues numri vogël i gjyqtarëve në këtë institucion, dhe duke marrë parasysh performancën e tanishme, duhen 6 deri në 7 vite për t’i përfunduar të gjitha lëndët që janë në punë, nëse nuk pranohet asnjë lëndë e re.

Më pas, UD Kryetari i Gjykatës së Apelit, Afrim Shala, ka prezantuar raportin e punës së gjykatës për vitin 2021. I njëjti bëri të ditur se ky institucion ka pasur në punë 20 mijë e 340 lëndë ndërsa ka arritur të zgjedh 16 mijë e 87 lëndë, ndërsa si sfidë për këtë gjykatë mbetet numri i madh i lëndëve civile.

Takimi i sotëm ka vazhduar me raportin e punës për vitin 2021, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili u prezantua nga Kryetarja e kësaj gjykate, Albina Shabani-Rama. Sipas kryetares, sfidë e kësaj gjykate është se gjatë vitit të kaluar ka pranuar një numër të madh të lëndëve të reja, gjë e cila nuk ka ndodhur në vitet e tjera.

Sa i përket të dhënave statistikore, kryetarja theksoi se ky institucion së bashkë me degët, në vitin 2021, ka trashëguar 60 mijë e 137 lëndë, ka pranuar 51 mijë e 211 lëndë të reja, që do të thotë se në punë ka pasur 111 mijë e 348 lëndë. Nga numri total i lëndëve në punë, Gjykata Themelore në Prishtinë së bashku me degë ka arritur të përfundojë 29 mijë e 9 lëndë.

Kurse, në raportin e punës së gjykatës për vitin 2021, kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi, theksoi se Gjykata e Gjilanit së bashku me degët e saj, ka trashëguar 16 mijë e 468 lëndë, ka pranuar 11 mijë e 797 lëndë, kurse 10 mijë e 279 lëndë janë zgjidhur, që nënkupton se ky institucion ka pasur efikasitet prej 87% në zgjidhjen e lëndëve.

Sa i përket ankesave disiplinore ndaj gjyqtarëve, kryetari Azizi bëri të ditur se gjatë vitit 2021 ka pranuar 3 ankesa, ku dy prej tyre i ka hudh poshtë ndërsa një e ka drejtuar në KGJK, si kërkesë për fillim të hetimit disiplinor.

Tutje, UD Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Artan Sejrani, para anëtarëve të KGJK-së ka prezantuar raportin e punës së kësaj gjykate dhe degëve të saj për vitin 2021. Sipas këtij raporti, ky institucion gjatë vitit të kaluar ka pranuar në punë 17 mijë e 67 lëndë, prej tyre janë kryer 11 mijë e 664 ndërsa në punë kanë mbetur 20 mijë e 673 lëndë.

Ndërsa, sipas kryetarit Nikollë Komani, gjatë vitit 2021, Gjykata Themelore në Gjakovë së bashku me degët, kanë pranuar në punë 13 mijë 613 lëndë, prej tyre 10 mijë e 20 janë zgjidhur, kurse kanë mbetur në punë 15 mijë e 588 lëndë.

Kurse në Gjykatën Themelore në Pejë së bashku me degë, sipas kryetarit Armend Berisha, në vitin 2021 janë pranuar në punë 14 mijë e 373 lëndë, prej tyre 10 mijë e 79 janë zgjidhur dhe kanë mbetur në punë edhe 17 mijë e 715 lëndë të të gjitha natyrave.

Referuar raportimit të Kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Mustaf Tahiri, ky institucion së bashku me degët, në vitin 2021, kanë pranuar në punë 14 mijë e 835 lëndë, ku kanë arritur të zgjidhin 10 mijë e 187 prej tyre, ndërsa kanë mbetur në punë edhe 18 mijë e 479 lëndë të cilat presin verdiktin final nga gjykata.

Raportimi i Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanovic, për vitin 2021, kishte të bënte me të dhënat lidhur me punën e kësaj gjykate dhe degëve të saj, ku u bë e ditur se në këtë periudhë raportuese kanë pranuar në punë 16 mijë e 712 lëndë, prej tyre 10 mijë e 590 janë përfunduar ndërsa kanë mbetur në punë edhe 20 mijë e 401 lëndë.

Në këtë raportim theks të veçantë patën edhe sfidat e këtij institucioni, ku përfshihet mungesa e përkthyesve gjyqësorë, çështja e objektit të gjykatës dhe e zyrtarit për informim.

Anëtarët e KGJK-së votuan aprovimin e raporteve të punës së gjykatave si dhe u mor vendimi për miratimin e planit të punës së Gjykatës së Apelit dhe planet e punës së shtatë gjykatave themelore për vitin 2022.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, dhe Zëvendës kryesuesi, Qerim Ademaj, duke falënderuar të gjithë kryetarët e gjykatave për punën e tyre, kërkuan angazhim dhe përpjekje edhe më të madhe për një performancë më të mirë të punës në të gjitha gjykatat e vendit.

Gjithashtu, KGJK bëri plotësim/ndryshimin e vendimit lidhur me përbërjen e komisionit rekrutues në konkursin për bashkëpunëtorë profesional, ashtu që gjyqtari Fahret Vellija u zëvendësua me gjyqtarin Nikolla Petronijevic.

Pa praninë e mediave, KGJK kishte në rend të ditës shqyrtimin e ankesës ndaj vendimit të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve, KVP.nr.037/130/2021, të datës 24.12.2021, dhe shqyrtimin lidhur me dyshimet për shkelje disiplinore nga ana e dy gjyqtarëve.

Ndërsa, bazuar në komunikatën për media të publikuar nga KGJK-ja, është bërë e ditur që është themeluar paneli hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/02/2022/GJTHFZ-AD.nr.01/2022 dhe është vendosur për suspendimin e gjyqtarit Riza Livoreka, i cili do të vlejë deri në një vendim tjetër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

GLPS/Drejtësia Sot në vazhdimësi raporton për takimet e KGJK-së, link:

Monitorues Liridon Salihi