KPK shpall konkursin për Kryeprokuror të Shtetit dhe themelon katër panele hetimore

Këshilli Prokurorial i Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

11:49 / 12 Janar 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Nën udhëheqjen e Kryesuesit Jetish Maloku, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur mbledhjen e 208-të më radhë, raporton Drejtësia Sot.

Në këtë takim, anëtarët e KPK-së votuan për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit, i cili do të jetë i hapur nga data 17 deri më 31 janar 2022.

Lidhur me këtë konkurs, KPK ka themeluar Panelin Intervistues në përbërje nga Jetish Maloku – Kryesues i Panelit, dhe anëtarët Arijana Shajkovci, Bedrie Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radovic.

Kurse, më pas është themeluar edhe Komisioni për Rishqyrtim, i cili do të përbëhet nga anëtarët e KPK-së, Veton Shabani, Ardian Hajdaraj dhe Agron Beka.

Tutje, KPK sot ka shqyrtuar dhe ka aprovuar kërkesat për themelimin e katër paneleve hetimore lidhur me rastet disiplinore ndaj një Kryeprokurori të Prokurorisë Themelore dhe ndaj tre prokurorëve të shtetit.

Kësisoj, KPK ka aprovuar kërkesën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, për themelimin e panelit hetimor për hetim disiplinor ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, me pretendimin se i njëjti nuk i ka trajtuar me kohë ankesat disiplinore ndaj në prokurori të kësaj prokurorie.

Paneli hetimor në çështjen disiplinore ndaj Kryeprokurorit Ujkani do të kryesohet nga prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Afrim Shefkiu.

Po ashtu, KPK sot ka aprovuar edhe kërkesën e Kryeprokurorit Ujkani lidhur me themelimin e panelit hetimor ndaj prokurores Stojanka Kasaloviq, lidhur me pretendimin se e njëjta nuk ka trajtuar sipas dispozitave ligjore një rast të dhunës në familje.

Rasti disiplinor ndaj prokurores Kasaloviq do të trajtohet nga paneli hetimor i kryesuar nga Bahri Hyseni, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Më pas u aprovua kërkesa e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj,  për themelimin e panelit hetimor ndaj një prokurori të kësaj prokurorie për të cilin dyshohet se ka ngritur aktakuzë pas afatit ligjor.

Ky panel hetimor do të kryesohet nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

Në fund, KPK ka aprovuar edhe kërkesën e Kryeprokurorit Munishi për themelimin e një paneli hetimor ndaj një prokurori të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ku pretendohet se i njëjti ka bërë shkelje të detyrave zyrtare dhe të Kodit të Etikes.

Ky panel hetimor u vendos që të kryesohet nga Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Xhevdet Bislimi.

Takimi i sotëm i KPK-së vazhdoi pa prezencën e mediave me seancat dëgjimore për rastin disiplinor AD.nr.09/2021 dhe për rastin disiplinor AD.nr.15/2021.

Drejtësia Sot në vazhdimësi raporton për takimet e KPK-së, link:

Monitorues Liridon Salihi