Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në kuadër të agjendës së takimit që do ta mbaj nesër, si pikë të rendit të ditës ka edhe shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit, raporton “Drejtësia Sot”.
Sipas Rregullores Nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, KPK-ja duhet të shpall konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit së paku 90 ditë para skadimit të mandatit të atij aktual.
Aktualisht Kryeprokuror i Shtetit është Aleksandër Lumezi, i cili në këtë pozitë ishte dekretuar më 21 prill 2015, nga ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe në bazë të legjislacionit në fuqi, mandati i tij përfundon më 21 prill 2022.
Për t’u emëruar në këtë pozitë, kandidati për Kryeprokuror të Shtetit duhet të jetë prokuror me mandat të përhershëm; të mos ketë të ngritur aktakuzë; të mos jetë i dënuar për vepër penale; të ketë vlerësim pozitiv të performancës në tri vitet e fundit; të mos ketë të shqiptuar sanksion disiplinor në pesë vitet e fundit, duke përjashtuar qortimin dhe vërejtjen jopublike dhe të ketë reputacion të lartë profesional dhe integritet moral.
Kurse, si kriter i veçantë për kandidatët që aplikojnë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit është që të kenë së paku 8 vite përvojë pune si prokuror.
Në rast se KPK merr vendim për shpalljen e konkursit, i njëjti do të jetë i hapur për 15 ditë, dhe nëse gjatë kësaj kohe nuk pranohet asnjë aplikacion i vlefshëm, atëherë konkursi rishpallet.
Kur me rastin e aplikimit, kandidatët kanë plotësuar kriteret siç parashihen në shpalljen e konkursit, KPK merr vendim për konfirmimin e kandidatëve dhe publikon listën përfundimtare.
KPK do të themeloi Panelin Intervistues dhe Vlerësues dhe Komisionin për Rishqyrtim, të cilët kanë për detyrë intervistimin dhe vlerësimin e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit përkatësisht për rishqyrtimin e kundërshtimeve eventuale nga këta kandidatë.
Poentimi i kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit bëhet nga Paneli Intervistues dhe Vlerësues, në përbërje nga Kryesuesi dhe katër anëtarë të tjerë të KPK-së, ku do të merret parasysh konceptdokumenti dhe prezantimi e tij, integriteti i kandidatit, aftësitë udhëheqëse dhe menaxheriale si dhe njohuritë teknike dhe përvoja e nevojshme për ushtrimin e funksionit.
Poentimi i kandidatit bëhet menjëherë pas intervistës nga secili anëtarë i panelit, ndërsa rezultati final do të llogaritet duke mbledhur pikët e dhëna e më pas duke i përpjesëtuar me numrin e anëtarëve të Panelit Vlerësues.
Kandidati më vlerësimin më të lartë dhe kandidatët që kanë diferencë deri në 3% të poenëve sesa kandidati më i vlerësuar propozohen për votim nga ana e KPK-së.
Votimi është i fshehtë dhe kandidati që merr shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm, propozohet te Presidenti për emërim.
Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kryeprokurori i Shtetit emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, në bazë të propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Mandati i Kryeprokurorit të Shtetit është shtatëvjeçarë, pa mundësi riemërimi.
Monitorues Liridon Salihi
Lajmet në fokus