Jep mbrojtjen ish-kryeinspektori i Prizrenit, i akuzuar për rrënimin e aneks objektit “Abi Çarshia”

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga Lorik Kabashi

11:07 / 20 Janar 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Ish-inspektori, Islam Thaqi, ka dhënë mbrojtjen e tij në gjykimin ku së bashku me pesë zyrtar tjerë komunal po gjykohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Drejtësia Sot, njofton se pos Thaqit, në këtë çështje penalo juridike po gjykohen edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës Jetmire Vrenezi, Inspektorja e ndërtimtarisë Egzona Morina Thaqi, si dhe tre ish-zyrtarët Inspektoratit Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi.

Fillimisht Thaqi në mbrojtjen e tij sqaroi se objekti Abi Çarshisë ishte pajisur me leje ndërtimore në prill të vitit 2017, por që veprime inspektuese për këtë objekt nuk kishte pasur.

Ai tregoi se vetëm pas daljes në terren e kanë kuptuar se objekti lartcekur nuk kishte përputhshmëri me lejen ndërtimore të lëshuar nga Drejtoria e Inspektorateve në Prizren.

Ndër të tjera, ish – inspektori Thaqi  theksoi se nga gjithë tërësia e objektit Abi Çarshia, vetëm 30 % kishte tejkalim të lejes ndërtimore dhe nga ky fakt si për objektet tjera edhe për këtë objekt janë zhvilluar të gjitha procedurat ligjore për trajtim të aneksit të ndërtuar pa leje.

Ai potencoi se në korrik të vitit 2018, inspektori lëndës për këtë çështje kishte ndërmarr të gjitha procedurat sa përket trajtimit të pjesës së objektit të ndërtuar pa leje. Ashtu që inspektori çështjes kishte nxjerrë aktvendim për ndalim punimesh, shqiptim të gjobave mandatore, ngritje të kallëzimit penal dhe aktvendim për rrënim vullnetar.

Po ashtu, tregoi se që nga fillimi i trajtimit të këtij rastit e deri në ndërprerjen e trajtimit në vitin 2019 janë hartuar disa procesverbale nga inspektor të ndryshëm në periudha të ndryshme kohore.

Dhe vetëm pas trajtimit të të gjitha procedurave është nxjerrë vendimi për ekzekutim të dhunshëm të objektit, nga inspektorja e lëndës, Jetmire Vrenezi.

Tutje, Thaqi e ripotoncoi në gjykatore se objektet pa leje nuk mund ti vazhdojnë punimet pa pëlqim për vazhdim të punimeve, dhe me çrrast Inspektorati në Prizren ishte angazhuar në trajtimin e këtyre objekteve për faktin se kishin qenë të ndërtuara kundërligjshëm nga investitorët, duke shtuar se një gjë e tillë është vepër penale dhe sanksionuar edhe me kod penal.

Andaj, ku dhe në çfarë mase është dashur të intervenohet në këtë objekt, Thaqi tha se të njëjtat kanë qenë vlerësime direkte dhe profesionale të inspektorit të lëndës dhe çrrast i njëjti kishte kërkuar ekzekutimin e aktvendimit të nxjerrë.

Gjithashtu, Thaqi tregoi se përgjegjësitë dhe obligimet e tij si drejtor i inspektoratit kishin qenë kontaktimi i kompanisë së rrënimit, njoftimi policisë, kompanisë për distributim të energjisë elektrike dhe ujësjellësit.

Krejt në fund, Islam Thaqi tha se pavarësisht se a ka aplikuar apo nuk ka aplikuar  për legalizim investitori, ndërtimi i kundërligjshëm është vepër penale dhe se ligji për trajtimin e objekteve pa leje i obligon investitorët që ti respektojnë vendimet e organeve përgjegjëse inspektuese.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja, Kymete Kicaj vendosi që ta ndërpresë shqyrtimin e sotëm, ndërsa seancën e radhës e caktoj më 28 shkurt.

Ndryshe, sipas aktakuzës, të akuzuarit duke shfrytëzuar detyrat apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit për “Abi” SHPK – Prizren.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur 20 dhjetor 2019, përshkruan që zyrtarët komunal Islam Thaqi, Jetmire Vrenezi, Egzona Morina Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje në atë mënyrë që realizojnë rrënimin e aneks objektit “Abi Çarshia” duke ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Tutje të pandehurit duke mos i përfillur vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi me ç ‘rast gjatë rrënimit, “Abi” ShPK në Prizren i shkaktojnë dëm në shumën prej 69.729.66 euro.

Drejtësia Sot, ka raportuar edhe më parë rrjedhën e këtij gjykimi:

Monitorues: Lorik KABASHI