Japin mbrojtjen dy zyrtarët e Komunës së Mamushës, të akuzuar për keqpërdorim detyre

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga Leutrim Makshana

16:02 / 11 Janar 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Pranë, Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prizren, sot e kanë dhënë mbrojtjen e tyre ish-drejtori i Arsimit Cafer Morina dhe drejtori i shkollës së mesme “Ataturk” Rifat Krasniç të cilët po akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Drejtësia Sot, raporton se Morina dhe Krasniç po akuzohen se gjatë periudhës së muajit nëntor të vitit 2020, në cilësinë në cilësinë e drejtorit të Arsimit, përkatësisht të drejtorit të shkollës, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin e punës nr.03/L-212, konkretisht neni 8, ashtu që me dashje nuk kanë zbatuar ligjin mbi punësimin, duke themeluar marrëdhënie pune me disa mësimdhënës pa zhvilluar procedurë konkursi, me qëllim që të shkelin të drejtat e personit tjetër Ramadan Shanli.

Gjatë mbrojtjes së tij, ish-drejtori i Arsimit Morina potencoi se katër punëtorët e pranuar në shkollë janë pranuar përmes organizatës “Humancere” dhe Kryetarit të Komunës së Mamushës, pasi që të njëjtit paraprakisht kanë pasur marrëveshje për pranimin e mësimdhënësve.

Tutje, ai sqaroi se mësimëdhësit e pranuar në punë janë paguar nga Komuna e jo nga Buxheti i Shtetit të Kosovës.

Ndër të tjera, lidhur me pretendimet e të dëmtuarit se me nënshkrim të kujt ka qenë largimi im nga puna, i akuzuari tha se ka qenë i nënshkruar nga unë mirëpo potencoi se nuk ka qenë i larguar por i ka skaduar afati i kontratës. Po ashtu, edhe Rifat Krasniç deklaroi se konkursi është hapur nga komuna në bashkëpunim me organizatën e “Humanicere”. Gjithashtu, Krasniçi tha se punëtorët Fahri Morina dhe Kenan Morina, janë pranuar në bazë të marrëveshjes të komunës dhe organizatës së lartëcekur.

Kurse, lidhur me mënyrën e pranimit të mësimdhënësve i akuzuari deklaroi se nuk kamë njohuri, pasi që detyra ime kryesore është të bëjë kërkesë për plotësimin e vendeve të punës në DKA, dhe ata vendosin lidhur me konkursin e hapur.

Pas dhënies së mbrojtjes të të akuzuarve, seanca e sotme vazhdoi me dhënien e fjalës përfundimtare të palëve në procedurë.

Prokurori i shtetit Mehdi Sefa, mbeti në tërësi pranë fjalës përfundimtare të interpretuar verbalisht në gjykimin e sotëm.

Në elaborimin të kësaj fjale ai tha se me provat e administruara në shqyrtimet gjyqësore po ashtu edhe me dëgjimin e dëshmitarëve është vërtetuar se të akuzuarit Morina dhe Krasniç kanë kryer veprën penale sipas aktakuzës.

Në fund të fjalës përfundimtare i njëjti i propozoi gjykatës që të pandehurit ti shpall fajtorë dhe ti dënoj sipas ligjit.

Kurse përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Gent Gjini, u pajtua në tërësi me fjalën e prokurorit të çështjes dhe shtoi se do të paraqesim kërkesë pasurore juridike në kontest të rregullt juridiko-civil.

Ndërsa, mbrojtësit e të akuzuarve Morina dhe Krasniç, avokatët Fatmir Jëlliqi dhe Naim Kurtishi, e kundërshtuan fjalën e prokurorit, duke theksuar se konstatimi i prokurorisë lidhur me dispozitivin e aktakuzës se të akuzuarit kanë keqpërdor pozitën e tyre është i paqendrushëm, dhe se nuk ka prova me anë të të cilës do të vërtetohet se të akuzuarit e lartëpërmendur, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, Më pas, mbrojtësit e të akuzuarve, i propozuan gjykatës që në mungesë të provave të akuzuarit ti lirojë nga akuza.

Fjalët e avokatëve Jëlliqi dhe Kurtishi, i mbështetën në tërësi të akuzuarit Krasniç dhe Morina, të njëjtit në fund të fjalës përfundimtare nuk patën diçka për të shtuar lidhur me këtë çështje penale.

Në fund të seancës, gjyqtari i çështjes Xheladin Osmani, njoftoi se shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penale do të bëhet me 14 Janar 2022 në ora 14:00.

Drejtësia Sot, ka raportuar edhe më parë, rrjedhën dhe zhvillimin e këtij rasti:

Monitoruar nga: Leutrim MAKSHANA