Nga e mërkura deri të premten janë mbajtur intervistat e kandidatëve që kanë aplikuar në konkursin e brendshëm për tre gjyqtarë në Gjykatën Supreme e Kosovës, raporton Drejtësia Sot.
Sipas konkursit, tri pozitat për gjyqtar në këtë gjykatë përfshijnë dy pozita për gjyqtar të lëmisë civile dhe një pozitë për gjyqtar në Kolegjin e Apelit te Agjencinë Kosovar të Pronës.
Kandidatët që i kanë plotësuar kriteret dhe janë intervistuar nga Komisioni janë gjyqtarët Atdhe Berisha, Bajram Miftari, Bujar Muzaqi, Faton Ademi, Kujtim Pasuli, Lumni Sallauka, Makifete Saliuka, Nenad Lazic, Rafet Haxhaj, Rrustem Thaqi, Shabi Idrizi, Valon Totaj dhe Zenel Leku.
Nga këta kandidatë, vetëm gjyqtari Nenad Lazic kishte aplikuar edhe është intervistuar për pozitën e lirë në Kolegjin e Apelit të Agjencisë Kosovare të Pronës, meqenëse sipas vendimit të KGJK-së kjo pozitë ishte e paraparë për gjyqtarët që vijnë nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Kosovë.
Konkursi organizohet në bazë të Rregullores 01/2014 për procedurën e ngritjes në detyrë të gjyqtarëve (të ndryshuar dhe plotësuar), e cila parasheh që për të ushtruar funksionin e gjyqtarit në Gjykatën Supreme, gjyqtari duhet të ketë së paku tetë (8) vite përvojë si gjyqtar.
Kurse në bazë të vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Komisioni intervistues ishte në përbërje nga anëtarët Albert Zogaj, Teuta Ibrahimi, Cerim Fazliji, Enver Peci, Muhamet Rexha dhe Fejzullah Rexhepi.
Kujtojmë që vendimi për shpalljen e konkursit për këto tri pozita ishte marrë në takimin e KGJK-së, të datës 28 Korrik 2021, dhe i njëjti ka qenë i hapur nga 02 deri më 17 gusht 2021.
Ky proces është duke u monitoruar nga Projekti “Monitorimi i Sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë”, i implementuar nga GLPS dhe i financuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë.
Monitorues Liridon Salihi
Lajmet në fokus