Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka filluar shqyrtimi gjyqësor ndaj Fitim Veliqit, ku ai po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar, raporton Drejtësia Sot.
Veliqi po akuzohet nga Prokuroria në Prishtinë se nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare si Inspektor i ndërtimit në Komunën e Gllogocit, duke mos i rrënuar disa objekte pa leje, me ç’rast i ka shkaktuar dëm kësaj komune shumën prej 34,176.00 euro.
Shqyrtimi ka vazhduar me leximin përsëri të aktit akuzues, dhe mundësin e të pandehurit që të deklarohet për fajësinë e tij. Veliqi sërish është deklaruar jo fajtor për veprën që po i vihet në barrë.
Tutje edhe pse me insistimin e avokates mbrojtëse e cila ishte caktuar sipas detyrës zyrtare për të akuzuarin Veliqi, se e njëjta nuk është e pajisur me shkresat e lëndës, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Naime Krasniqi Jashanica përkundër kësaj ka vazhduar me fjalën hyrëse të palëve.
E në fjalën e saj hyrëse prokuroria e shtetit ka deklaruar se gjatë këtij shqyrtimi gjyqesor do të administrohen provat e propozuar si në aktin akuzues si dhe dëshmitaret e listuar.
Kurse përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Komunës së Drenasit, ka theksuar se mbështesin aktin akuzues ndaj Fitim Veliqit, si dhe kanë parashtruar kërkesë pasurore juridike për dëmin e shkaktuar në vlerën prej 34.176 eurove.
Ndërsa mbrojtja e të akuzuarit Veliqi para fillimit të fjalës hyrëse sërish ka deklaruar se nuk është e pajisur me shkresa të lendes, por insistimi i serishëm e gjyqtares Krasniqi Jashanica se e njëjta është dashur të përgatitet, ka bërë që e njëjta në pika të shkurta ta jap fjalën e saj hyrëse e duke theksuar se e kundërshton aktakuzën, si të pa bazuar, ngase e njëjta me asnjë prove nuk e mbështet në mënyrë bindëse se i mbrojturi i saj ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet, e njëjta është ne kundërshtim me shkresat e lendes, dhe ka rezervuar të drejtën që në të ardhmen të propozoj prova tjera, si dhe në fund ka shtuar se do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit.
E vetëm pas fjalës hyrëse të palëve, kryetarja e trupit gjykues, ka marrë aktvendim që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, e andaj e ka ndërprerë shqyrtimin gjyqësor, me arsyetimin që me qëllim të përgatitjes dhe interesit të mbrojtjes së të akuzuarit, e njëjta të pajiset me të gjitha shkresat e lëndës, e në këtë mënyrë seanca e radhës u caktua për datën 15 mars 2022 me fillim nga ora 09:00.
Sipas aktakuzës të ngritur nga ana e prokurorit Rafet Halimi, ndërsa e cila sot u përfaqësua nga prokurorja Fitore Sadikaj, i pandehuri Fitim Veliqi akuzohet se në vazhdimësi nga 23.09.2015 deri më 30.07.2016, në cilësinë e personit zyrtar si Inspektori i ndërtimit me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore personit tjëtër dhe duke i shkaktuar dëm Komunës së Gllogocit.
I njejti duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas Ligjit për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtim nr.04/L-175 të datës 21.10.2013, Ligjit për Ndërtim nr.04/L-110, dhe Udhëzimit Administrativ MMPH nr.18/2013, në atë mënyrë që nuk ka ndërmarrë veprime administrative juridike për objektet përgjatë brezit të autostradës ‘Ibrahim Rugova’, duke mos bërë rrënimin e objekteve ‘Viva Fresh Store’, ‘Ana Princess’, ‘Hajdini Palace’, dhe objektit ‘Aktiv’.
Nga mos rrënimi i këtyre objekteve kanë përfituar pronarët e objekteve të lart cekuara ndërkaq i është shkaktuar dëm Komunës së Gllogocit në vlerë prej 34,176.00 euro.
Me këto veprime i pandehuri akuzohet të këtë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Drejtësia Sot ka monitoruar edhe më parë këtë rast
Monitoruar nga Elvira Rrahmani
Lajmet në fokus