Paneli për shqyrtimin e aplikacioneve dhe intervistimin e kandidatëve për ngritje në detyrë për njëmbëdhjetë (11) gjyqtarë në Gjykatën e Apelit, ka filluar fazën e intervistimit të kandidatëve që kanë plotësuar kriteret për këtë pozitë, raporton Drejtësia Sot.
Paneli në përbërje nga anëtarët Qerim Ademaj, Drita Rexhaj, Cerim Fazliji, Afrim Shala, Fejzullah Rexhepi dhe Teuta Ibrahimi, ka intervistuar vetëm tre nga pesë kandidatët që ishin paraparë për sot.
Kësisoj, në intervistë kanë prezantuar kandidatët – gjyqtarët Adnan Konushevci, Agron Hoxhaj, Alajdin Tershnjaku dhe Arben Hoti, ndërsa paraprakisht është tërhequr nga gara gjyqtarja Anita Krasniqi – Prenaj.
Në fillim të intervistimit, nga kandidatura për ngritje në detyrë në Gjykatën e Apelit, u tërhoq edhe gjyqtari Agron Hoxhaj.
Kujtojmë që Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), konkursin për 11 pozita për gjyqtarë të Apelit e kishte shpallur me 28 korrik 2021, ndërsa në nëntor kishte publikuar listën me emrat e 43 kandidatëve/gjyqtarë të cilët i plotësojnë kushtet për këto pozita.
Sipas njoftimit nga KGJK, intervistat e të gjithë këtyre kandidatëve janë paraparë që të realizohen nga data 31 janar deri më 10 shkurt 2022.
Kurse, bazuar në shpalljen e konkursit, si kriter për të ushtruar funksionin e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit, gjyqtari duhet të ketë së paku pesë (5) vite përvojë si gjyqtar.
Ky konkurs organizohet në bazë të Rregullores nr. 01/2014)për procedurën e ngritjes në detyrë të gjyqtarëve (të ndryshuar dhe plotësuar), dhe po monitorohet nga Projekti “Monitorimi i Sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë”, i financuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë dhe i implementuar nga GLPS.
Monitorues Liridon Salihi
Lajmet në fokus