Fillon dëgjimi i dëshmitarëve në gjykimin ndaj ish-shefit të Prokurimit në Komunën e Gjilanit

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

16:01 / 27 Janar 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, është zhvilluar seanca gjyqësore ndaj ish-shefit të Departamentit të Prokurimit në Komunën e Gjilanit, Sali Kqiku, i akuzuar për veprën penale keqpërdorimi i detyrës zyrtare, raporton Drejtësia Sot.

Sipas Prokurorisë, Sali Kqiku dyshohet se e ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjilanit në dy raste, duke i sjellur përfitim të kundërligjshëm pasuror operatorëve ekonomik, kompanive nga Ferizaji.

Në seancën e së enjtes, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shefik Memeti, i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë për veprat penale për të cilat ngarkohet nga prokuroria, me arsyetimin se nuk e ndien veten fajtor.

Pasi i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse të palëve, dhe procedurën e provave, përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve.

Në fjalën hyrëse prokurori Memeti, ka deklaruar se lidhur me këtë çështje penale ndaj të pandehurit Sali Kqiku i akuzuar për dy vepra penale, pasi që nuk e ka pranuar fajësinë në këtë seancë gjyqësore, ne konsiderojmë se veprat penale ekzistojnë dhe kryerës i këtyre veprave është tani më i pandehuri Sali Kqiku. dhe këtë do ta dëshmojmë gjatë shqyrtimit gjyqësor në bazë të provave të paraqitura në aktin akuzues.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, Sali Kqiku, avokati Elmi Qerimi, ka deklaruar se mbetemi në tërësi pranë kundërshtimit të provave, duke shtuar se mbrojtja mendon se i tërë boshti i kësaj aktakuze është ndërtuar gabimisht, dhe se para gjykatës është sjellur një person i cili nuk i ka kryer ato vepra penale.

Sipas avokatit Qerimi, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të provohet pafajësia e të akuzuarit.

Tutje, në seancën gjyqësore, është dëgjuar dëshmitari A.M., i cili ka deklaruar se me të akuzuarin, nuk ka pasur asnjëherë raport të keq por as raport të ngushtë shoqëror. Tutje, dëshmitari ka shtuar se personin Shemsedin Qerimi e njeh, pasi i njejti ka qenë bashkëshoqërues i tij në projektin “Ndriqimi publik në fshatrat e Gjilanit” (2013-2016). Sipas dëshmitarit, ky person ka qenë kryerës i punëve teknike, ndërsa dëshmitari ka qenë person përgjegjës profesional-mbikqyrës.

Lidhur me këtë projekt, dëshmitari ka deklaruar se ka qenë në dijeni se ka pasur kontratë, e cila ka zgjatur 3 vite dhe se e njejta skadon një ditë përpara, sepse ashtu llogaritet afati.

Sipas dëshmitarit, pas datës së skadencës, nuk mund të kryhen punët specifike, por mund të ketë pagesa për punët e kryera. Dëshmitari theksoi se pas datës së skadencës së kontratës nuk ka dijeni se është kryer ndonjë punë. Tutje, dëshmitarja J.H., zyrtare ligjore në Zyrën e Prokurimit në Gjilan, ka deklaruar se udhëheqës i zyres së Prokurimit ka qenë i akuzuari Sali Kqiku.

Dëshmitarja vazhdoi dëshminë e saj, duke thënë se nuk është e njoftuar drejtëpërdrejtë për kontratën publike kornizë “Hartimi i projekteve kryesore te Komunës së Gjilanit Lot II”, sepse në atë kohë nuk ka qenë e punësuar.

Lidhur me kontratën në fjalë, dëshmitarja ka shtuar se nuk ka marrë ndonjë veprim, ndërsa sipas saj ka pasur raste kur e ka zëvendësuar udhëheqësin e Prokurimit tanimë të akuzuarin Sali Kqiku, gjatë kohës kur i njejti ka qenë në pushim vjetor.

Tutje, dëshmitarja ka deklaruar se edhe gjatë kohës sa ka qenë në pushim, i akuzuari ka ardhur në punë dhe i ka kërkuar raportet e punës.

Sipas dëshmitares, ka pasur raste që shefi i zyres (i akuzuari), ka kërkuar që dëshmitarja të ndërmarrë ndonjë veprim të cilin dëshmitarja e ka vlerësuar si veprim antiligjor.

Mirëpo, dëshmitarja theksoi se lidhur me këtë rast, i akuzuari Sali Kqiku nuk ka kërkuar nga e njejta që të ndërmarrë ndonjë veprim antiligjor.

Pas dëgjimit të dëshmitares J.H., seanca gjyqesore është ndërprerë, për të vazhduar më 7 mars, në ora 09:00, ka njoftuar kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Aziz Shaqiri.

Sipas aktakuzës, Sali Kqiku në cilësinë e personit zyrtar, drejtor në Departamentin e Prokurimit në Gjilan – menaxher i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Gjilanit, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, pasi nga data 22.10.2014 deri më datën 21.03.2017, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik lidhur me kontratën kornizë “Mirëmbajtja e ndriçimit publik në fshatrat e Komunës së Gjilanit”, e lidhur në mes të Komunës së Gjilanit dhe kompanisë “Elektring” nga Ferizaji, e cila kontratë ka qenë tri vjeçare.

Sipas Prokurorisë, kontrata e njejtë ka zgjatur deri më 14 tetor 2016, përkundër që është dashur që ta përmbyll të njëjtën, gjatë kohës sa ka qenë menaxher, ka vazhduar me pagesa, nënshkrimin e urdhër blerjeve duke tejkaluar vlerën e kontratës në shumë prej 79.999.70 euro, duke i sjellur përfitim të kundërligjshëm pasuror operatorit ekonomik “Elektring” nga Ferizaji, ka sjellur rrezikun e rritjes së obligimeve jashtë kontraktuale, në këtë mënyrë ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjilanit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Sali Kqiku akuzohet edhe për kontratën “Hartimi i projekteve kryesore në Komunën e Gjilanit Lot II” e lidhur mes Komunës së Gjilanit dhe kompanisë “Engrup – Edona”, e cila kontratë ka qenë tre vjeçare, derisa ka tejkaluar vlerën në shumë prej 278.438.21 euro duke dëmtuar operatorët e tjerë në Gjilan.

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët këtë rast

Monitoruese: Ronita Halimi