Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor në rastin “Zyrtarët e Veriut” të cilët po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrjen te rryshfetit, raporton Drejtësia Sot.
Zyrtarët policor me inicialet Z.S., B.N., A.H., A.M., M.M., O.K., R.M., D.S., D.K., J.D., Z.B., B.M., A.P., Z.R., K.S., R.K., V.T., B.T., L.V., B.M., B.L., N.B, nga Prokuroria Speciale akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrjen e rryfshetit.
Seanca e sotshme dështoi të mbahet pasiqë mungonte i akuzuari Z.R., i cili është në vetizolim pasi që ishte i infektur me virusin COVID-19. Kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri, kërkoi nga avokati që të sillinin dëshmi në gjykatë, pasi një gjë të tillë nuk e kishin bërë.
Andaj, data 25 mars 2022 me fillim në orën 09:30 u caktua për mbajtjen e seancës së rradhës. Kujtojmë se në aktakuzë kanë qenë të përfshirë 33 persona, e ku 22 prej tyre janë zyrtarë policor të cilët po gjykohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të rryshfetit.
Por për veprën penale “Kontrabandim me mallra” ku akuzohen personat me inicialet I.J., J.M., M.J., N.B., N.J., S.I., XH.J., A.I., B.U., B.M. dhe F.I., gjykata e ka veçuar procedurën penale ndaj tyre. Sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria speciale, 22 zyrtarët policor që nga viti 2017 e deri në muajin maj të vitit 2019, në cilësinë e personave zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën ose autoritetin zyrtar, me dashje nuk kanë kryer detyrat e përcaktuara me ligj, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.
Aktakuza sqaron se duke mos përmbushur detyrat zyrtare ata iu kanë mundësuar 11 akuzuarve tjerë përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore ashtu që i kanë lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshme, si: kafshë, derivate, pije alkoolike dhe joalkoolike dhe mallra ushqimore nga Serbia për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale. Kujtojmë që ish-prokurori special, Sylë Hoxha, ka përcjellur fazën e hetimeve e cila ka rezultuar me arrestimin e disa nga të akuzuarve më 28 maj 2019.
Po në këtë ditë, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të udhëhequr nga PSRK-ja, ka zbatuar urdhër-kontrollin në disa lokacione, ndër to edhe në pjesën veriore të Mitrovicës.
Këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disamujor i IPK-së dhe PK-së , me dyshimin e bazuar se disa zyrtarë policorë dhe qytetarë ishin përfshirë në veprat penale: “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, “Kontrabandim me mallra”, “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “Dhënie e ryshfetit”, “Tregti e ndaluar”.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast
Monitoruar nga: Qëndresa Ismaili
Lajmet në fokus