Përkundër caktimit të tri seancave nga ana e Departamentit Special të Gjykatës së Prishtinës, ende nuk po arrihet të mbahet shqyrtimi fillestar në rastin ku ish-kryetari i komunës së Leposaviqit dhe 14 të akuzuar tjerë po gjykohen për krim të organizuar e korrupsion, raporton Drejtësia Sot.
Dragan Jabllanovic, ish-kryetar i komunës së Leposaviqit së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandër Ackoviq, Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Mensur Rama, Mirosllav Ivanoviq, Bojan Banoviq, Njazi Musliu, Ivan Kadiq, Jellica Baraq dhe Boban Millanoviq po akuzohen për veprat penale “Krim i organizuar” lidhur me “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.
Me të filluar gjykimi i sotëm, gjyqtarja Violeta Namani, njoftoi se mungon i akuzuari Haxhi Bejta. Ajo tha se nga ana e mbrojtësit të tij ka pranuar një parashtresë se Bejta nuk mund të jetë i pranishëm për shkaqe shëndetësore Ndërsa në këtë seancë gjithashtu për shkaqe shëndetësore nuk ishte i pranishëm as i akuzuari tjetër Xhemajl Ferizi.
Andaj si rezultat i mungesës së kushteve ligjore kjo seancë është ndërprerë, kurse ajo e radhës u caktua më datë 25 shkurt 2022.
Sipas aktakuzës së siguruar nga Drejtësia Sot, që të gjithë këta të akuzuar po ngarkohen për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 par.1 të KPRK-së lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 të KPRK-së dhe “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290 par.2 lidhur me par.1 nënpar.1.5 të KPRK-së.
Sipas aktit akuzues, grupi kriminal i organizuar, i udhëhequr nga kryetari i komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, ka vepruar gjatë viteve 2015-2017, me qëllim të kryerjes së veprave të rënda penale. Aktakuza thotë se Jabllanovic, ka punësuar të pandehurit Kostiq, Ackoviq, Timotijeviq, Ivanoviq, Milovanoviq dhe Kadiq, e po ashtu ka caktuar si Drejtor të Departamentit të Prokurormit të pandehurin Haxhi Bejta, dhe të pandehurit Banoviq dhe Baraq në detyra të ndryshme në proceset e prokurimit me qëllim të kurdisjes së disa tenderëve. Aktakuza thekson se si anëtarë të grupit kriminal kanë qenë edhe Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Njazi Musliu, të cilët si persona përgjegjës brenda disa kompanive, kanë shkelur rregullat afariste, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm lidhur me këta tenderë.
Aktakuza përshkruan në mënyrë të zgjeruar veprimet e të gjithë të akuzuarve në raport me aktivitetet publike “Furnizimi me material ndërtimor dhe ndërtimi i shtëpive dhe objekteve tjera ndërtimore të nevojshme në Komunën e Leposaviqit”, “Asfaltimi i rrugëve në qytet dhe fshatra në Komunën e Leposaviqit” etj.
Drejtësia Sot ka monitoruar këtë rast edhe më herët
Monitoruar nga Rinon Arifi
Lajmet në fokus