Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, janë paraqitur Ilir Mustafa, Slobodan Bogdanoviq, dhe Slobodan Markoviq, në rastin ku po akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton Drejtësia Sot.
Pasi të akuzuarve iu janë kumtuar të drejtat nga kryetari i trupit gjykues Aziz Shaqiri, dhe iu është lexuar aktakuza nga prokurori Isuf Sadiku, të njejtit në seancën e shqyrtimit fillestar janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu ngarkohet sipas aktakuzës.
Pasi të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë, gjyqtari Shaqiri, njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se deri me datën 07 shkurt 2022, kanë mundësi të parashtrojnë kërkesë për hedhjen e aktakuzës apo kundërshtimin e provave.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë-kryetar i komisionit Ilir Mustafa dhe anëtarë të komisionit Slobodan Bogdanoviq dhe Slobodan Markoviq, për vlerësimin e tenderit “Ndërtimi dhe mirëmbajtja e ndriçimit Publik në Komunën e Novobërdës”, duke keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim që vetit apo tjetrit t’i sjellin dobi të kundërligjshme pasurore, kanë përpiluar dhe nënshkruar raportin për vlerësimin e ofertave të datës 03 Korrik 2019.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit i kanë rekomanduar Zyrës për Prokurim të Komunës së Novobërdës nënshkrimin e kontratës kornizë në kohëzgjatje prej 17 muajve, ndërmjet Kuvendit Komunal të Novobërdës dhe kompanisë “Monting” SH.P.K, me seli në Prishtinë, ashtu që të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me nenin 61 par. 1 dhe 2 të Ligjit për Prokurim Publik duke mos kërkuar shpjegime për tenderim jo-normalisht i ulët, e po ashtu kanë vepruar edhe në kundërshtim me neni 41.3 të Rregullores dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik, sa i përket kushteve teknike, me ç’rast më këto veprime kanë diskriminuar operatoret tjerë potencial dhe kanë dëmtuar Komunën e Novobërdës.
Me çka në bashkëveprim kanë kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Monitoruese: Ronita Halimi
Lajmet në fokus