Dëgjohet eksperti financiar në gjykimin për shpërlarjen e parave në vlerë mbi 65 mijë euro

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

15:16 / 25 Janar 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, këtë të martë, ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarit për shpërlarje të parave, M.G., raporton Drejtësia Sot.

Ne gjykimin e sotëm i cili filloi rishtazi për shkak të shtyrjes së seancës për më shumë se 3 muaj, është proceduar me dëgjimin e ekspertit financiar V.I., i cili me urdhër të gjyqtarit të rastit Musa Kongjeli, ka hartuar ekspertizë financiare nëse i akuzuari ka pasur burime legale për paratë që iu janë hasur në veturë gjatë kalimit të kufirit në Merdare.

Eksperti financiar ka elaboruar në tërësi ekspertizën e hartuar me shkrim dhe iu është përgjigjur pyetjeve të prokurorit të rastit, Naim Abazi dhe avokatëve mbrojtës të akuzuarit.

Gjatë fjalës së tij, eksperti ka thënë se shuma për të cilën nuk është arritur të vërtetohet origjina në bazë të dokumentacionin në dispozicion për ekspertim është 52 mijë e 450 euro.

Ndërsa për pjesën tjetër të mjeteve monetare në vlerë rreth 13 mijë euro, eksperti deklaroi se këto mjete janë depozituar në llogari bankare në emër të kursimit në valutë, që nënkupton se të njëjtat kanë qenë te depozituara pa afat.

Eksperti tha se për këto mjete nuk është kërkuar origjina e parave nga ana e bankave përkatëse për shkak se ato janë deponuar në vlera më të vogla se 10 mijë euro, andaj edhe nuk ka mundur që të vërtetojë prejardhjen e saktë të tyre.

Kujtojmë se çështja është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, ngase kishte konstatuar se nuk është respektuar neni 76 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), i cili ka të bëjë me dënimi për bashkim të veprave penale, ngase nuk janë shqiptuar dënimet për secilën vepër veç e veç mirëpo është shqiptuar vetëm dënimi kumulativ për të dyja veprat për të cilat i pandehuri akuzohet.

Në shqyrtimi paraprak M.G., kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale, e cila ishte aprovuar nga gjykata duke iu shqiptuar të njëjtit dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, i cili me pëlqimin e të akuzuarit mund të zëvendësohet me dënim me gjobë në shumë prej 3600 euro, si dhe është dënuar edhe me 1500 euro gjobë si dënim i veçantë duke iu konfiskuan kështu në mënyrë të përhershme edhe mjetet monetare në vlerë prej 65,450.00 euro.

Ndërsa pas kthimit në rigjykim i akuzuari nuk kishte pranuar fajësinë për veprat penale që i vihen në barrët. Kurse gjatë fazës së kontrollimit të aktakuzës, sipas gjyqtarit Konxheli, Apeli me aktvendimin e tij ka kërkuar që procedura penale të zhvillohet vetëm për shpërlarje të parave dhe jo edhe për veprën penale të tregtisë së ndaluar.

Ndryshe, sipas aktakuzës fillestare, M.G. më 14.08.2020, ka kryer veprën penale, “Tregti e ndaluar”, pasi që është hasur duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, në atë mënyrë që në veturën e tij janë gjetur mjete monetare të fshehura në valutën euro, të padeklaruara gjithsej gjashtëdhjetë e pesëmijë e katërqind e pesëdhjetë euro (65,450.00€).

Po ashtu, i pandehuri M.G. më 14.08.2020, ka kryer veprën penale “Shpërlarja e parave”, pasi që duke e ditur apo duke pas arsye të dijë se ishte duke bartur këto mjete monetare, të fshehura në automjetin e tij, ka tentuar që të fshehë ose maskon natyrën e vërtetë, burimin, vend-ndodhjen, sistemimin, lëvizjen, të drejtat në lidhje me pronësinë e kësaj pasurie, me qëllim që të shkaktoj shmangien nga pasojat juridike ose pasojat e mundshme ligjore.

Drejtësia Sot ka monitoruar këtë rast edhe më herët

Monitoruar nga Rinon Arifi