Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë sot u dëgjuan dy dëshmitar në gjykimin e Besim Tahirit dhe Gëzim Osmanit të akuzuar për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe Hajredin Harja i akuzuar për “Marrëveshjet për kufizmin e konkurrencës përmes ftesave për tender”, raporton Drejtësia Sot.
Pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Besim Tahiri dhe Gëzim Osmani po akuzohen se kanë keqpërdorur pozitat e tyre në procesin e prokurimit “Dislokimi i varrezave nga traseja e Autostradës R6, segmenti C2 dhe C3”, ndërkaq Hajredin Hajra akuzohet për manovrime të kundërligjshme me dokumentacionet për tenderim.
Në seancën e sotshme u dëgjuan si dëshmitar A.D. drejtor i kompanisë Engineering Group dhe I.TH. punëtor në kompaninë Eurokod. Dëshmitari A.D. u myet për kontratën e fituar me tenderim ndërsa I.TH. u pyet për punën e tij gjatë rialokimit të varrezave.
Pasi dëshmitarja H.D. mungoi, seanca e sotshme përfundoi dhe u caktua data 4 Mars 2022 me fillim në orën 09:00.
Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokurori Special Naim Abazi, i akuzuari Besim Tahiri në cilësinë e personit zyrtar gjatë përiudhës kohore 13.05.2016 deri më 10.10.2017, me qëllim të dëmtimit të buxhetit të Republikës së Kosovës, e ka keqpërdorur pozitën zyrtare gjatë zhvillimit të procedurës së prokurimit për aktivitietin e prokurimit “Dislokimi i varrezave nga traseja e Autostradës R6, segmenti C2 dhe C3” me numër të prokurimit MI/16/071/221, duke vepruar në kundërshtim me kriteret e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë, ku ishte përcaktuar afati i kontratës 1 vit ndërsa ka nënshkruar kontratën në afat prej 2 vite.
I njejti sipas aktakuzës ka lejuar tejkalimin e numrit të njësive nga 40 në 474 varreza dhe ka lejuar tejkalimin e kontratës nga 60,000.00 euro në 823,235.69 euro, si dhe ka lidh Anex-kontratën e datës 30.11.2016 për këtë procedurë të prokurimit në emër të punëve shtesë edhe pse në kundërshtim me nenin 35, par.2.4(i) i LPP-së, ku vlera e kësaj aneks kontratë është më vlerë shumëfish më të lartë se që është e lejuar me Ligjin per Prokuorim Publik, krejt kjo me qëllim për ti shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës (RKS) në shumë prej 772,235.69 euro.
I pandehuri Gëzim Osmani sipas aktakuzës në cilësinë e personit zyrtar gjatë periudhës kohore 25.08.2016 deri më 07.11.2018 me qëllim të dëmtimit të buxhetit të Republikës së Kosovës, e ka keqpërdorur pozitën zyrtare, në atë mënyrë që ka vepruar në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij të cilat ishin caktuar me vendimin me nr.Prot.35831 të datës 25.08.2016, ku në cilësinë e menaxherit të projektit ishte i obliguar që të sigurohet se operatori ekonomik ti përmbush të gjitha obligimet e performancës apo dërgesës në përputhje me termat dhe kushtet e kontratës, ti dorëzoj raportet mbi progresin ose kompletimin e një kontrate siç kërkohet nga divizioni i prokurimit ose nga ZKA, të verifikojë sasitë e punëve të kryera, të nënshkruaj ditarin e ndërtimit, librin e ndërtimit dhe situatat (certifikatat) për pagesë, dhe lidhur me këtë i kishte shkaktuar dëm Ministrisë së Insfrastrukturës dhe përfitime operatorit ekonomik ‘Eurokod’. Me këtë rast janë pranuar punët edhe pse nuk ishin zbatuar pozicionet e përcaktuara në kontratë, si dhe ka tejkaluar kompetemcat e menaxherit të projektit duke kërkuar pozicione shtesë në emër të ankes kontratës, kurse pas nënshkrimit të aneks kontratës kishte lejuar që të bëhen hulumtime për varre në lokacione të cilat nuk ishin përcaktuar në kontratë, krejt kjo me qëllim për ti shkaktuar dëm buxhetit të RKS në shumë prej 772,235.69 euro.
Me këto veprime të pandehurit e lartcekur akuzohen të kenë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar’ nga neni 422 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndërkaq i akuzuari tjetër Hajredin Hajra në cilësinë e Drejtorit të Biznesit ‘Eurokod’ SH.P.K, me qëllim të pranimit të ofertës nga autoriteti kontraktues për aktivitietin e prokurimit me titull të kontratës “Dislokimi i varrezave nga traseja e Autostradës R6, segmenti C2 dhe C3”, në kundërshtim me kriteret e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë kishte dorëzuar ofertën në bazë të një marrëveshje të kundërligjshme, ku marrëveshja për themelimi e grupit të operatorëve ekonommik ‘Eurokod’ SH.P.K dhe ‘Engenieering Group’ SH.P.K, ishte bërë që të plotësohen kritetet formale. Me saktësisht është përdorur referenca e ‘Engenieering Group’ SH.P.K., nga i akuzuari mirëpo nuk ishte lejuar që të marrë pjesë në implementimin e kontratës së lartëcekur, me qëllim që vetes ti sjell dobi pasurore.
Me këtë i akuzuari ka kryer veprën penale ‘Marrëveshjet për kufizmin e konkurrencës përmes ftesave për tender’ nga neni 309 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast
Monitoruar nga: Qëndresa Ismaili
Lajmet në fokus