Avokati i të akuzuarit Shaban Gogaj, gjobitet përsëri nga gjykata për zvarritje të procedurës

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Selvije Morina

12:18 / 31 Janar 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Pranë Gjykatës Themelore në Pejë, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt në Deçan raporton Drejtësia Sot.

Mungesa e avokatit për të akuzuarin Shaban Gogaj, edhe kësaj here ishte arsye e mos mbajtjes së këtij shqyrtimi gjyqësor.

Kësisoj kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova, në fillim të kësaj seance gjyqësore njoftoi se mbrojtësit i të akuzuarit Gogaj, avokati Gëzim Kollçaku, i caktuar sipas detyrës zyrtare ka paraqitur një parashtresë me anë të cilës ka kërkuar që gjykata të i’a aprovojë tërheqjen nga mbrojtja sipas detyrës zyrtare.

Një kërkesë të tillë avokati Kollçaku e ka arsyetuar se Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve ka marr vendim që OAK të mos caktojë avokatë sipas detyrës zyrtare për këtë rast e po ashtu nga po kjo Odë ka pranuar një email me anë të cilës i është kërkuar që ti respektoj të gjitha vendimet e të njëjtës përndryshe paraqet shkelje të rëndë që mund të rezultojë me marrje të licencës. Në parashtresë avokati Kollçaku, kishte cekur po ashtu se familjaret e të akuzuarit kanë refuzuar që i njëjti të jetë mbrojtës i të akuzuarit Gogaj pasi që i njëjti e ka avokatin e caktuar sipas dëshirës.

Kështu trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtarja Violeta Husaj-Rugova, vlerësoi se arsyet e dhëna nga avokati Gëzim Kollçaku, nuk janë arsye ligjore dhe se i njëjti nuk mund të kërkoj tërheqje nga mbrojtja sipas detyrës zyrtare bazuar në vendimet e OAK-së të cilat janë të shfuqizuara sipas vendimit të Ministrisë së Drejtësisë. Trupi gjykues po ashtu vlerësoi se arsyeja se familjarët e të akuzuarit nuk duan që të kenë avokat sipas detyrës zyrtare nuk është arsye ligjore për shkak se nuk është dëshirë e të akuzuarit por avokati e ka obligim të paraqitet në gjykatë në mënyrë që të plotësohen kushtet ligjore për mbajtjen e gjykimit.

Andaj në fund trupi gjykues mori aktvendim me anë të cilit avokatit Kollçaku i’u shqiptua gjoba e dytë në shumë prej 250 euro për shkak të zvarritjes së procedurës. Vlen të përmendet se avokati Kollçaku i është shqiptuar gjoba prej 250 euro pas seancës së datës 29.12.2021, e cila kishte dështuar të mbahet në mungesës të tij.

Ndryshe seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua për datën 16 shkurt 2022.

Kujtojmë se Shaban Gogaj, me aktakuzën e datës 12.06.2019, e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë ashtu që i  njëjti me dashje kishte privuar nga jeta tashmë të ndjerin Agonis Tetaj, dhe me veprimet e tij kishte rrezikuar jetën e të dëmtuarve tjerë A.H dhe F.Z.

Theksojmë se Gjykata e Pejës, me datën 19 mars 2021, kur edhe pritej të shpallte aktgjykimin ndaj të akuzuarit Gogaj, vendosi ta rihap shqyrtimin gjyqësor nën arsyetimin se është e nevojshme që të plotësohet procedura penale në këtë çështje.

Drejtësia Sot, ka raportua në vazhdimësi lidhur me ketë rast,

Monitoruese Selvije MORINA