Vazhdon seanca e rigjykimit ndaj ish-shefit të Drejtorisë së Pyjeve në Viti i akuzuar për keqpërdorim detyre

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

14:29 / 23 Dhjetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, ka vazhduar seanca gjyqësore ndaj ish-ushtruesit të detyrës së shefit të Drejtorisë së Pyjeve në Viti, Kadri Ismajli, në rastin ku po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton Drejtësia Sot.

Seanca gjyqësore e së enjtes, ka filluar rishtasi nga fillimi duke qenë se nga seanca e fundit e zhvilluar për këtë rast, kanë kaluar më shumë se 3 muaj.

Pasi palët mbetën në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë me datën 20 dhjetor të vitit 2018, seanca gjyqësore ka vazhduar me procedurën e provave, përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve.

Dëshmitarët K.F., M.S., dhe M.M., thanë se mbeten në tërësi pranë deklaratave të dhëna më herët dhe se nuk kanë asgjë për të shtuar lidhur me rastin.

Edhe dëshmitari A.R., tha se mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna më herët, përveç deklaratës së dhënë në polici, ku sipas tij aty e kanë bërë hajn dhe nuk e din se çfarë ka thënë.

Tutje, prokurori i lëndës Isuf Sadiku tha se meqë Gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në rigjykim me qëllim që të dëgjohet dëshmitari kyç S.Sh., i cili është dëgjuar vetëm në polici ndërsa nuk ka arritur të dëgjohet në prokurori e as në gjykatë, i propozoi gjykatës që ndaj të njejtit të përsëritet urdhër arresti, ndërsa ndaj dëshmitarit P.S., të lëshohet urdhër për sjellje të detyrueshme.

Kryetari i trupit gjykues, Islam Thaqi, aprovoi propozimin e prokurorit Sadiku, duke e shtyrë seancën e sotme për datën 25 shkurt, 2022.

Kujtojmë se i akuzuari Ismajli, në maj të vitit 2019, ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Gjilan me 6 muaj burgim efektiv për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, por pas ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Në vendimin e Apelit, të cilin e ka siguruar Drejtësia Sot, thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, sepse nuk janë paraqitur në mënyrë të qartë dhe të plotë faktet e rastit si dhe arsyet se përse janë konsideruar si të vërtetuara të njëjtat nga gjykata e shkallës së parë.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Kadri Ismajli, akuzohet se në kohën sa ishte ushtrues detyre si shef i Drejtorisë së Pyjeve në Komunën e Vitisë, ka keqpërdorur detyrën zyrtare ashtu që gjatë periudhës kohore dhjetor 2016-janar 2017 u ka shitur dru qytetarëve të Komunës së Vitisë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, personit P.S., i ka shitur katër metër dru në vlerë prej 100 euro, kurse A.R., e S.Sh., nga dhjetë metër dru secilit, në vlerë prej 250 eurosh, e të cilët dru Ekonomia e Pyjeve në Viti, i kishte lajmëruar në polici si të vjedhura.

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët këtë rast

Monitoruese: Ronita Halimi