Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, ka vazhduar seanca gjyqësore ndaj drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gjilanit, Bekim Bajrami, i akuzuar për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton Drejtësia Sot.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari Bajrami, i cili është drejtor aktual i Drejtorisë së Urbanizmit në Gjilan, akuzohet se ka lëshuar leje ndërtimore në parcelat kadastrale të Komunës së Gjilanit, edhe pse në ato parcela ishte paraparë ndërtimi i një objekti parashkollor dhe një objekti tjetër shkollor.
Seanca gjyqësore e së hënës, e kryesuar nga gjyqtari Naser Maliqi, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit-hetuesit policor Shkumbin Sahiti, leximin e shkresave të lëndës, dhe marrjen në pyetje të të akuzuarit Bekim Bajrami.
Dëshmitari Shkumbin Sahiti, gjatë deklaratës së tij tha se në Departamentin e Krimeve Ekonomike punon që nga viti 2010, ndërkaq lidhur me rastin konkret tha se qëndron pranë raporteve dhe kallëzimit penal të përpiluar.
Tutje, dëshmitari Sahiti tha se gjatë vitit 2019, nga Prokuroria kanë pranuar një autorizim për hetime në Drejtorinë e Urbanizmit në Gjilan, nën dyshimin se është kryer vepër penale. Më pas, dëshmitari tha se në drejtori ka bërë kërkesë për tërheqjen e dy lejeve ndërtimore për objektet si në aktakuzë.
Në dosje, dëshmitari kishte parë se është bërë ridestinimi i disa planeve, se ndërtimi i instiucionit parashkollor ishte bartur dikund tjetër, ndërsa leja e lëshuar për ndërtimin e institucionit parashkollor ishte lëshuar për objektet tjera.
Pas kësaj, në seancë janë lexuar shkresat e lëndës dhe është marrë në pyetje i akuzuari Bekim Bajrami.
I akuzuari Bajrami, deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale që akuzohet. Tutje, i akuzuari deklaroi se qëndron prapa lejeve të lëshuara në bazë të ligjit dhe planifikimit, dhe se akuza e prokurorisë është e pabazë. I akuzuari, theksoi se pronat e përfshira në aktakuzë janë pjesë e planit rregullues urban të vitit 2019.
Pasi gjyqtarët kishin angazhime me seanca tjera, seanca për këtë rast u vendos të shtyhet për datën 10 dhjetor, në ora 08:30, në të cilën do të jipen fjalët përfundimtare të palëve.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të cilën e përfaqëson prokurori Isuf Sadiku, i akuzuari Bekim Bajrami, gjatë vitit 2019, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, drejtor në Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, në Komunën e Gjilanit, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare.
Aktakuza sqaron se i akuzuari duke anashkaluar interesin e institucionit, në kundërshtim me destinimin e planifikuar sipas planit rregullues “Livadhet e Arapit”, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dy leje ndërtimore për dy kompani ndërtimi.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më parë këtë rast
Monitoruese: Ronita Halimi
Lajmet në fokus