Vazhdon deklarimi i të dëmtuarës në rigjykimin për vrasjen e rëndë në qendër të qytetit të Pejës

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Blerta Kelmendi

15:43 / 14 Dhjetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore të Pejës pranë Departamentin për Krime të Rënda, këtë të premte ka vazhduar rigjykimi ndaj Kreshnik Halitit, raporton Drejtësia Sot. Haliti, akuzohet nga Prokuroria e Pejës, se ka vrarë në qendër të qytetit të Pejës shokun e tij, Mentor Zekaj, për shkak të një borxhi prej 77 mijë euro.

Pasi në seancën e kaluar kishte përfunduar pyetjet prokurorja Lumturije Vuçetaj, në seancën e sotme e dëmtuara M.Z., vazhdoi të përgjigjet në cilësi të dëshmitares në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Haliti, avokatit Besnik Berisha.

E pyetur nga avokati Berisha, nëse ka qenë e pranishme ditën kur bashkëshorti i saj tashmë i ndjerë, ia ka dhënë të hollat të akuzuarit Haliti, dëshmitarja u përgjigj se këtë përgjigje e ka dhënë më herët dhe se nuk mund ta sqaroj çdo moment të njëjtën.

Ndërsa pasi që kryetari i trupit gjykues Murat Hulaj, ia sqaroi pyetjen e mbrojtësit Berisha, dëshmitarja M.Z., u përgjigj se ka qenë e pranishme.

Pas këtij deklarimi, avokati Berisha e ballafaqoi me dëshminë e saj të dhënë në polici, në të cilën e njëjta kishte deklaruar se nuk ka qenë e pranishme ditën kur janë dhënë parat. Lidhur me këtë dëshmitarja M.Z., përveç që pohoi se ka qenë e pranishme shtoi edhe faktin që sipas saj i kishte thënë bashkëshortit të saj që të mos ja jap fare të hollat.

Tutje, gjykimi vazhdoi me pyetje të tjera lidhur me shumën e borxhit që pretendohet të jetë shkaku i kësaj vrasje.

Avokati Berisha, e pyeti dëshmitaren se kur e kishte kuptuar faktin se shuma e borxhit është 86 mijë euro, në ndërkohë ajo u përgjigj se nuk i kujtohet.

Ndërsa pas sqarimeve të bëra nga ana trupit gjykues, dëshmitarja M.Z., u përgjigj se e di që aq para i ka kërkuar, aq para i janë dhënë dhe se për ato para është vra bashkëshortin e saj.

Dëshmitarja M.Z., gjithashtu tha se për kthimin e këtyre parave, është detyruar të marrë kredi të cilën edhe më tutje është duke e paguar.

Ndryshe, i gjithë sesioni i pasdites vazhdoi me pyetjet e avokatit Berisha, drejtuar dëshmitares, në shumicën e të cilave dëshmitarja u përgjigj se nuk i kujtohet dhe se është deklaruar më herët.

Vlen të përmendet, se avokati Berisha, ndër të tjera potencoi se të mbrojturit të tij, po i cenohet e drejta kushtetuese për ta ekzaminuar dëshmitaren, duke kërkuar nga gjykata që të zbatojë me përpikëri normën ligjore që dëshmitari të lirohet vetëm nga përgjigjet me të cilat e sjellë vetën ose personin e afërm pranë turpit të rëndë, dëmit material apo ndjekjes penale.

Kësisoj ai kërkoi nga gjykata që të mos toleroj përgjigje të këtij karakteri të cilat po i bën dëshmitarja në fjalë.

Në ndërkohë, gjyqtari Hulaj, konstatoi se dëshmitarja në pyetje të caktuara, përgjigje po i jep me deklarimet e dhëna më herët për të cilat që në fillim të këtij rigjykimi ka thënë se mbetet në tërësi pranë tyre, duke shtuar se as mbrojtjes e as ndonjë pale tjetër në këtë rast nuk po i mohohet e drejta e parashtrimit të pyetjeve.

Kujtojmë se Gjykata e Pejës, në korrik të vitit 2018, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Kreshnik Haliti, për vrasje të rëndë të Mentor Zekajt dhe për armëmbajtje paleje, duke i shqiptuar dënimin unik prej 22 vite e 6 muaj burgim.

Mirëpo, pasi aktgjykimi ishte ankimuar Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Drejtësia Sot, në vazhdimësi e ka monitoruar këtë rast

Monitoruese: Blerta KELMENDI