Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, është dhënë fjala përfundimtare e palëve në seancën gjyqësore ndaj drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gjilanit, Bekim Bajrami, i akuzuar për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton Drejtësia Sot.
Në fjalën përfundimtare, prokurori i lëndës Isuf Sadiku tha se mbetet në tërësi pranë aktit akuzues pa plotësime dhe ndryshime, duke shtuar se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar pa mëdyshje se i akuzuari Bekim Bajrami, ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Prokurori Sadiku, i propozoi gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe t’i shqiptojë dënim meritor sipas Kodit Penal, dhe me rastin e dënimit t’i ketë parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Bajrami, avokati Shemsedin Pira, gjatë fjalës përfundimtare tha se lejet ndërtimore të dhëna janë bërë konform rregullativës ligjore, të cilën i akuzuari Bajrami e ka zbatuar në tërësi. Avokati Pira, i propozoi gjykatës që të akuzuarin ta lirojë nga akuza në mungesë të provave.
Ndryshe, në seancën e së hënës, para se të jipej fjala përfundimtare e palëve, prokurori Isuf Sadiku, i propozoi gjykatës që t’i administrojë dy shkresa-prova të zyrtarëve të komunës, drejtuar drejtorit, përkatësisht të akuzuarit Bekim Bajrami në këtë çështje penale, ku njëra mban datën 4 shtator, 2018, ndërsa tjetra datën 15 maj, 2018.
Lidhur me këto prova, avokati Shemsedin Pira, tha se ato nuk kanë rëndësi relevante për vendosjen e kësaj çështjeje, sepse lejet e dhëna ndërtimore janë dhënë në pronat private të cilat nuk janë të eksproprijuara nga komuna, dhe pikërisht për këtë arsye sipas tij përfaqësuesi i komunës nuk po paraqitet në seancë.
Megjithatë, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Naser Maliqi, aprovoi propozimin e prokurorit Isuf Sadiku, për administrimin e këtyre provave.
Pas kësaj, mori fjalën sërish prokurori Sadiku, i cili i propozoi trupit gjykues që seanca e sotme gjyqësore të shtyhet, me arsyetimin se përfaqësuesi i komunës së Gjilanit si palë e dëmtuar, sërish nuk është paraqitur në seancë, duke propozuar që t’i përsëritet ftesa të njejtit dhe për mosardhje në këtë seancë, të njoftohet kryetari i komunës.
Trupi gjykues refuzoi propozimin e prokurorit Sadiku, për shtyrjen e seancës së sotme gjyqësore pasi sipas trupit gjykues përfaqësuesi i komunës është ftuar në çdo seancë, dhe i njejti nuk ka marrë pjesë duke dërguar shkresa se nuk do të marrë pjesë në këto seanca me arsyetimin se është i zënë.
Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penale, do të bëhet me datën 15 dhjetor, në ora 13:00, njoftoi kryetari i trupit gjykues Naser Maliqi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të cilën e përfaqëson prokurori Isuf Sadiku, i akuzuari Bekim Bajrami, gjatë vitit 2019, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, drejtor në Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, në Komunën e Gjilanit, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare.
Aktakuza sqaron se i akuzuari duke anashkaluar interesin e institucionit, në kundërshtim me destinimin e planifikuar sipas planit rregullues “Livadhet e Arapit”, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dy leje ndërtimore për dy kompani ndërtimi.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më parë këtë rast
Monitoruese: Ronita Halimi
Lajmet në fokus