Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet seanca në rastin ‘Vizat 2’, ku po akuzohen 15 persona për dallavere më viza italiane, raporton Drejtësia Sot.
Në këtë grup akuzohen Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti, Haxhi Islami dhe Kujtim Avdyli, se duke qenë anëtarë të grupit të themeluar, organizuar, mbikëqyrë dhe drejtuar nga Ukë Rugova dhe Izet Beqiri, kanë marrë pjesë në furnizimin e individëve me viza Shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes korrupsionit.
Me të filluar seanca e sotme kryetari I trupit gjykues gjyqtari Kujtim Krasniqi pasi evidentoi prezencën e palëve njoftoi se në këtë gjykim mungojnë të akuzuarit: Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Edison Idrizi, Driton Voca dhe Liridona Beqiri.
Për shkak të këtyre mungesave, në këtë drejtim trupi gjykues caktoi seancën e radhës me datë 9 shkurt 2022, duke filluar nga ora 09:30.
Sipas aktakuzës se Prokurorisë Speciale të Kosovës, nga maji 2011 deri më shkurt 2014, djali i ish-presidentit historik të Kosovës, Ukë Rugova ishte drejtues i një grupi kriminal i cili në këmbim të një shume prej 3000-4000 mijë euro siguroi 556 viza shengen për 526 persona të ndryshëm nga gjithsej 614 aplikacione për vizë sa ishin bërë në ambasadën italiane në Kosovë.
Po ashtu sipas prokurorisë, këto viza ishin afatshkurtra për turizëm 30 ditor dhe të vlefshme për 6 muaj.
Sipas prokurorisë, qëllimi i këtij grupi ka qenë të sigurojë përfitim material duke furnizuar individë me viza shengen nga ambasada italiane në Prishtinë, viza të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme përmes shtrembërimit dhe korrupsionit.
Sipas aktakuzës së prokurorit Cansick, Prokuroria Speciale e Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me këto viza ku ndër të tjera përfshihet edhe emri i ish-ambasadorit italian në Kosovë, Michael Giffoni, zyrtarit administrativ, Faëzi Habib si dhe punonjësit lokal të ambasadës italiane në Kosovë, Florian Petani.
Vlenë të theksohet se në periudhën për të cilën akuzohet, Ukë Rugova ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, i zgjedhur në listën e kandidatëve për deputetë të AAK-së, ndërsa më vonë u bë pjesë e grupit parlamentar të AKR-së.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:
Monitoruar nga Vullnet Bugaqku
Lajmet në fokus