Shpallen fajtor të akuzuarit për dhënie ose marrje të ryshfetit në lidhje me votimin

Gjykata Themelore , Gjakove

Monitoruar nga Qëndresa Bytyqi

15:59 / 10 Dhjetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Janë shpallur fajtor dy të akuzuarit Arsim dhe Imer Hoti për dhënie ose marrje të ryshfetit në lidhje me votimin, në Gjykatën Themelore në Gjakovë-Departamenti për Krime të Rënda, raporton “Drejtësia Sot”.

Gjatë komunikimit të aktgjykimit, gjyqtari Drilon Haraçia njoftoi se ndaj të akuzuarve ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh për secilin veç e veç, dënim ky i cili me pëlqimin e të akuzuarve u zëvendësua me gjobë.

Sipas gjyqtarit Haraçia, dënimi me burgim për të akuzuarin Arsim Hoti u zëvendësua me gjobë në shumën prej 3500 eurove, ndërsa dënimi me burgim për të akuzuarin Imer Hoti u zëvendësua me gjobë në shumën prej 3000 eurove.

Madje, gjyqtari shtoi se ky dënim duhet të paguhet në afat prej 30 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimit. Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 16 nëntor 2021, i akuzuari Arsim Hoti po akuzohet se më datë 17 tetor 2021 në Malishevë, pikërisht në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në qendrën e votimit me numër 3016A/01R, gjatë procesit të votimit i ka ofruar, përfitim ose dhuratë të pamerituar të akuzuarit Imer Hoti me qëllim që të ndikoj për të votuar, në favor të partisë Nisma Socialdemokrate.

Në vazhdim të kësaj aktakuze thuhet se dëshmitari Arsim Hoti në ditën e zgjedhjeve kishte shkuar në këtë qendër votimi të dërgoj ushqim vëzhguesve dhe komisionerëve, dhe derisa ishte duke qëndruar në korridor kishte vërejtur të akuzuarin Imer, i cili përmes telefonit i tregonte fotografinë e votës se për kë kishte votuar, ndërsa i akuzuari Arsim Hoti, kishte nxjerrë nga xhepi shumën prej 20 euro dhe ja kishte dhënë të akuzuarit Imer.

Me çka ka kryer veprën penale dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin nga neni 212 par.1 të KPRK-së. Ndërkaq, i akuzuari Imer Hoti po akuzohet se më 17 tetor 2021 në Malishevë, pikërisht në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në qendrën e votimit me numër 3016A/01R, i akuzuari ka kërkuar dhe ka pranuar përfitim ose dhuratë të pamerituar për vete, për të votuar në favor të partisë Nisma Socialdemokrate në vlerë prej 20 euro, gjë e cila është vërtetuar edhe nga video incizimi nga kamerat e sigurisë së shkollës.

Me çka ka kryer veprën penale dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin nga neni 212 par.2 të KPRK-së.

Monitoruese: Qendresa Bytyqi.