Për shkak se prokurorja e rastit gjindet në udhëtim zyrtar jashë vendit, këtë të hënë, ka dështuar gjykimi ndaj Hysri Peqanit i njohur si “Burdushi”, i cili po akuzohet për mashtrim, ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarive mjekësore dhe shpërlarje të parave, raporton Drejtësia Sot.
“Burdushi” po gjykohet në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nën dyshimin se ka kryer veprimtari të kundërligjshme mjekësore me anë të mashtrimit, duke përfituar pasuri në vlerë prej rreth 1 milionë euro.
Njoftimi për anulimin e këtij gjykimi është bërë i ditur nga zyra e gjyqtarit të rastit, Lutfi Shala, të cilët theksuan se prokurorja Merita Bina – Rugova, përmes një parashtrese ka kërkuar që ky gjykim të shtyhet meqë gjindet në udhëtim jashtë vendit për çështje zyrtare.
Seanca e radhës pritet të mbahet më 20 janar të vitit 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga prokurorja Merita Bina – Rugova, i akuzuari Hysri Peqani, prej kohës së pavërtetuar, së paku nga data e regjistrimit të biznesit privat me aktivitetin primar “aktivitet e tjera të shëndetit të njeriut”, më 15 qershor 2005 deri më 26 korrik 2019, me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme, disa të dëmtuarëve iu ka kryer trajtime të improvizuara pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse.
Aktakuza pretendon se ai i kishte kryer këto trajtime të improvizuara me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike, e poashtu ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare.
Në këtë mënyrë, i pandehuri Peqani ka vënë në lajthim këta persona duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20€ deri në 3000€, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth një milion euro (1.000.000). Me këto veprime ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 262 paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprën penale “Mashtrimi në vazhdimësi” nga neni 335 paragrafi 5 të Kodit Penal.
Po ashtu, ai akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK, pasi që në shtëpinë e tij pa autorizim përkatës ka mbajtur në pronësi dhe posedim armë, pistoletë me dy karikatorë dhe 166 fishekë, si dhe një pushkë gjuetie me 55 fishekë.
Gjithashtu, mbi të rëndon vepra penale e shpërlarjes së parave pasi që sipas aktakuzës, ai duke e ditur se pasuria e tij buron nga aktivitetet kriminale, me qëllim të fshehjes së këtyre aktiviteteve dhe burimit të vërtetë të pasurisë, duke filluar nga viti 2006 paratë e tilla i ka futur në sistem bankarë përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive. Pas kësaj pretendohet se ai ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast
Monitoruar nga Rinon Arifi
Lajmet në fokus