Pranojnë fajësinë të akuzuarit për dhënie ose marrje të ryshfetit në lidhje me votimin

Gjykata Themelore , Gjakove

Monitoruar nga Jeta Vula

13:35 / 09 Dhjetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Pranë Gjykatës Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, është mbajtur shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve Arsim Hoti dhe Ymer Hoti, të akuzuar për veprat penale që ndërlidhen me votimin, raporton Drejtësia Sot.

I akuzuari Arsim Hoti, nga ana e Prokurorisë së Gjakovës po ngarkohet se ka kryer veprën penale dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin. Së bashku me të, me po të njëjtën vepër penale po ngarkohet edhe i akuzuari tjetër, Ymer Hoti.

Menjëherë, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të shtetit Ali Uka, dy të akuzuarit Arsim Hoti dhe Ymer Hoti, u deklaruan fajtor për veprën penale që po iu vihet në barrë.

Që të dy të akuzuarit Arsim Hoti dhe Ymer Hoti, secili veç e veç deklaruan se janë treguar mendjelehtë lidhur me këtë rast, duke shprehur pendesën e tyre për veprën e kryer.

Këtë pranim fajësie të bërë nga ana e dy të akuzuarve nuk e kundërshtoi prokurori Ali Uka. I njëjti deklaroi se ky pranim fajësie i bërë nga ana e dy të akuzuarve është bërë me vullnet të lirë dhe pa presion nga ana e tyre.

Andaj, prokurori Uka, i propozoi gjykatës që dy të akuzuarve t’ju aprovoj fajësinë, duke i shpallur fajtor si dhe ti gjykoj sipas ligjit.

Pas kësaj, gjyqtari Drilon Haracia deklaroi se aprovohet pranimi i fajësisë i bërë nga ana e dy të akuzuarve Arsim Hoti dhe Ymer Hoti. Sipas gjyqtarit Haraçia, komunikimi i vendimit ndaj të akuzuarve do të bëhet me 10 dhjetor 2021.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 16 nëntor 2021, i akuzuari Arsim Hoti po akuzohet se më datë 17 tetor 2021 në Malishevë, pikërisht në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në qendrën e votimit me numër 3016A/01R, gjatë procesit të votimit i ka ofruar, përfitim ose dhuratë të pamerituar të akuzuarit Imer Hoti me qëllim që të ndikoj për të votuar, në favor të partisë Nisma Socialdemokrate.

Në vazhdim të kësaj aktakuze thuhet se dëshmitari A.H., në ditën e zgjedhjeve kishte shkuar në këtë qendër votimi të dërgoj ushqim vëzhguesve dhe komisionerëve, dhe derisa ishte duke qëndruar në korridor kishte vërejtur të akuzuarin Imer, i vili përmes telefonit i tregonte fotografinë e votës se për kë kishte votuar, ndërsa i akuzuari Arsim Hoti, kishte nxjerrë nga xhepi shumën prej 20 euro dhe ja kishte dhënë të akuzuarit Imer.

Me çka ka kryer veprën penale dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin nga neni 212 par.1 të KPRK-së.

Ndërkaq, i akuzuari Imer Hoti po akuzohet se më 17 tetor 2021 në Malishevë, pikërisht në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në qendrën e votimit me numër 3016A/01R, i akuzuari ka kërkuar dhe ka pranuar përfitim ose dhuratë të pamerituar për vete, për të votuar në favor të partisë Nisma Socialdemokrate në vlerë prej 20 euro, gjë e cila është vërtetuar edhe nga video incizimi nga kamerat e sigurisë së shkollës.

Me çka ka kryer veprën penale dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin nga neni 212 par.2 të KPRK-së.

Monitoruese: Jeta Vula