Në Departamentin për Krime të Rënda, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, sot ishte caktuar të mbahej gjykimi nga 9 personave të akuzuar për krim të organizuar, raporton Drejtësia Sot.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës akuzon Sadat Murati, Avdyl Kastrati, Haki Maloku dhe Denis Sadijaj, Albert Bulliqi, Bekim Zeqiri, Bratisllav Desic, Bashkim Hasani dhe Xhavit Fejzullahu për veprat penale krim të organizuar dhe kontrabandim me migrant pasi që të njëjtit në mënyrë ilegale kishin kontrabanduar shtetas të Republikës së Kosovës në vende të ndryshme të Evropës.
Mungesa e të akuzuarit Xhavit Fejzullahu, ka pamundësuar që shqyrtimi gjyqësor ndaj 9 të akuzuarve të vazhdohet, kjo për faktin se i akuzuari Fejzullahu me një parashtresë të datës 15 dhjetor 2021 ka njoftuar gjykatën se i njëjti i është nënshtruar një operacioni dhe për një kohë i duhet të jetë në regjim shtrati.
Trupi gjykues ka kërkuar mendimin e prokurores speciale lidhur me këtë situatë, e njëjta ka propozuar që së pari të merret mendimi i mjekëve profesional lidhur me gjendjen e tij se sa kohë i duhet të jetë në regjim shtrati, dhe pastaj të konstatohet a është e nevojshme që të kërkohet veçimi i procedurës ndaj të akuzuarit Fejzullahu.
Në këtë drejtim trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Naime Krasniqi – Jashanica, ka aprovuar propozimin e prokurores speciale, dhe pasi që të merret mendimi nga mjekët, gjykata do të vendos lidhur me ketë çështje, e andaj ka ndërprerë seancën duke e caktuar të radhës për datën 23 dhjetor 2021 nga ora 09:00.
Ndryshe, sipas aktakuzës të pandehurit Sadat Murati, Avdyl Kastrati, Haki Maloku dhe Denis Sadijaj, Albert Bulliqi, Bekim Zeqiri, Bratisllav Desic, Bashkim Hasani dhe Xhavit Fejzullahu po akuzohen për veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Kontrabandim me migrant”.
Të njëjtit duke vepruar në kuadër të grupit të organizuar, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kishin kontrabanduar shtetas të Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale në vendet e Evropës.
Të njëjtit personave të interesuar të shkojnë në vende të Evropës i kishin detyruar të paguanin shumën prej 3000 Euro për person, dhe në bashkëpunim me persona tjerë përmes Serbisë dhe Hungarisë i kishin dërguar në shtete të ndryshme të Evropës.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:
Monitoruar nga: Elvira Rrahmani
Lajmet në fokus