Përfundon gjykimi ndaj ish-drejtorit të Inspekcionit në Komunën e Pejës, i akuzuar për korrupsion, të hënën shpallja e aktgjykimit

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Selvije Morina

16:03 / 09 Dhjetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në gjykimin për keqpërdorim të detyrës ndaj ish-drejtorit të Inspekcionit Demë Dashi, sot është dhënë fjala përfundimtare raporton Drejtësia Sot.

Dashi, akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës që nuk i ka përmbushur detyrat e tij si Drejtor i Inspekcionit në Pejë duke lejuar kështu ndërtime pa leje.

Fjala përfundimtare u dha fillimisht nga prokurori i rastit Ali Uka, i cili të njëjtën e dorëzoi në formë të shkruar kurse gjatë elaborimit të saj deklaroi se pas administrimit të të gjitha provave materiale dhe me dëgjimin e dëshmitarëve është vërtetuar se i akuzuari Dashi është kryes i veprës penale për të cilën akuzohet andaj i kërkoj gjykatës që të njëjtin ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit.

Pas prokurorit, fjalën përfundimtare e dha mbrojtësi i të akuzuarit Dashi, avokati Gëzim Kollçaku. I njëjti, fjalën përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar ndërsa shkurtimisht e elaboroi në seancën e shqyrtimit të sotëm.

Avokati Kollçaku, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare potencoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor me asnjë provë nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet nga prokuroria. Kollçaku, po ashtu deklaroi se të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore e obligojnë inspektorin dhe shefin e divizionit të zhvillojnë procedurën për rrënimin e objekteve pa leje ndërsa me asnjë dispozitë ligjore apo nen nuk është i obliguar Drejtori i Inspekcionit të zhvilloj këtë procedurë.

Kësisoj  avokati Gëzim Kollcaku, në fund kërkoj nga gjykata që të mbrojturin e tij ta lirojnë në mungesë të provave ndërsa i akuzuari Demë Dashi, deklaroi se mbështet në tërësi fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij.

Në fund kryetarja e trupit gjykues Nushe Kukaj-Mekaj, njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë 13.12.2021, në ora 11:00.

Sipas aktakuzës Demë Dashi, akuzohet se nga data 07 maj 2014 e deri me 14 nëntor 2016, duke qenë në pozitën e personit zyrtar dhe atë Drejtor i Drejtoratit të Inspekcionit në Komunën e Pejës, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare. Aktakuza tutje sqaron veprimet e të akuzuarit të cilat bien në kundërshtim me ligjin mbi ndërtimin duke lejuar ndërtimin e katërmbëdhjetë (14) objekteve banesore pa leje si dhe me tejkalim të lejeve urbanistike duke i’u mundësuar përfitime të kundërligjshme pronarëve të këtyre objekteve.

Vlen të përmendet se ky proces gjyqësor është  zhvilluar në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Pejës, nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj kryetare, Arben Mustafaj dhe Musë Povataj anëtarë të trupit gjykues.

Drejtësia Sot, e ka monitoruar në vazhdimësi rrjedhën e këtij procesi gjyqësor

Monitoruese Selvije MORINA