Për të gjashtën herë me radhë, në Departamentin për Krime të Rënda, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit në rastin “FAN”, raporton Drejtësia Sot.
Bashkë me Deshishkun e Osmanin për privatizimin e fabrikës “FAN” në Podujevë akuzohen edhe Bahri Shabani, Shkelzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga dhe Adrian Kelmendi.
Përsëri mungesa e të akuzuarit Deshishku e ka pamundësuar mbajtjen e seancës së rigjykimit në rastin e njohur “FAN”. Mbrojtësi i tij për të njëjtin ka theksuar se për shkak të gjendjes së tij shëndetësore nuk mund të prezentoj.
Gjykata për të njëjtin kishte lëshuar Urdhëresë për sjellje me detyrim, por edhe kishte lëshuar Urdhër arrest, mirëpo Policia e Kosovës, nuk ka mundur të siguroj adresën e saktë të tij. Andaj kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Agim Kuci ka kërkuar mendimin e Prokurores Speciale, lidhur me ketë situatë.
Prokurorja Fejzullahu, ka propozuar që së pari të shtjerrën të gjitha mundësitë ligjore për të siguruar prezencën e të njëjtit e pastaj të vendoset për veçimin e procedurës. Propozim ky u mbështet nga të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, posaçërisht për faktin se Deshishku është ndër personat kyç në këtë çështje penale.
Andaj në këtë drejtim, trupi gjykues ka ndërprerë seancën, e po ashtu ka anuluar edhe atë të planifikuar për datë 24 dhjetor 2021, e duke e caktuar atë të radhës për datën 11 janar 2022 me fillim nga ora 09:15.
Në këtë rast, Gjykata Supreme e Kosovës, kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të dënuarit Agim Deshishku, në rastin ndaj tij dhe gjashtë të akuzuarve tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Gjykata Supreme, në qershor të 2020, kishte pranuar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë nga mbrojtësit e të dënuarit Deshishku, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe të Apelit.
Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur më datë 16 nëntor 2020, ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e përbashkët të mbrojtësve të dënuarit Deshishku.
Kjo gjykatë ka vlerësuar se aktgjykimi i kundërshtuar në pjesën fajësuese nuk është përfshirë me shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Kujtojmë se gjykata e shkallës së parë me aktgjykimin e datës 8 shkurt 2019, të akuzuarit Naser Osmani, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga dhe Agim Deshishku, i kishte liruar nga akuza për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.
Ndërkaq, Agron Deshishku ishte shpallur i pafajshëm edhe për veprën penale “Legalizim të përmbajtës së rreme në vazhdimësi”, ndërsa në lidhje me veprat penale “Mashtrim” dhe “Shmangie nga tatimi” ishte shpallur fajtor. Më 4 mars 2020, Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, përmes një komunikate për media, kishte njoftuar se ka kthyer në rigjykim rastin e të akuzuarve Naser Osmani dhe të tjerëve, lidhur me privatizimin e fabrikës “FAN” në Podujevë. Apeli, kishte gjetur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike në aktgjykimin e shkallës së parë.
Me ç’rast kjo gjykatë ka prishur aktgjykimin e shkallës së parë dhe lënda është kthyer në rigjykim. Ndryshe sipas aktakuzës, të pandehurit Naser Osmani, si nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani si drejtori i Bordit të AKP-së, Shkelzen Lluka si menaxher i AKP-së, Naim Avdiu si zv/drejtor menaxhues i AKP-së dhe Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi, si kryesues të Njësisë së Monitorimit në AKP në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë si anëtarë ndërkombëtarë të AKP-së: Lisa Brodey, Mohammed Omran dhe Hubert Ërsmann, i kanë kaluar kompetencat zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë për vete ose për personin tjetër, në vlerë prej 5,400,000,00 euro.
Ata akuzohen se kanë shkelur të drejtat e punëtorëve të kësaj ndërmarrje, me çka njëkohësisht i kanë shkaktuar dëm Ndërmarrjes Shoqërore “FAN” e përfaqësuar nga AKP-ja si dhe buxhetit të shtetit, lidhur me çështjen e Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”.
Kjo e fundit, ishte privatizuar në valën e 7-të të shitjes nga AKM-ja, ishte blerë me çmim prej 2,310,000 euro nga blerësi, që më pas i akuzuari Agim Deshishku, sipas kontratës së nënshkruar me zotimet e fituara të bëjë investime në vlerë prej 2,800,000 euro dhe të punësojë 236 punëtorë gjatë periudhës dy vjeçare.
E me këtë kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Ndërsa Agim Deshishku akuzohet edhe për veprat penale si “Mashtrimi” në vazhdimësi nga neni 261 par. 1, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” në vazhdimësi nga neni 403 par.2 dhe për veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 249 par.2 të KPRK-së.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast
Monitoruar nga Elvira Rrahmani
Lajmet në fokus