Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, është shtyrë seanca gjyqësore ndaj drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gjilanit, Bekim Bajrami, i akuzuar për veprën penale keqpërdorimi i detyrës zyrtare, raporton Drejtësia Sot.
Shkak i shtyrjes së seancës gjyqësore ndaj të akuzuarit Bajrami, ishte mungesa e përfaqësuesit të Komunës së Gjilanit, i cili në seancën e sotme nuk ishte ftuar në mënyrë të rregullt nga gjykata.
Kryetari i trupit gjykues Naser Maliqi, duke vepruar sipas propozimit për shtyrjen e seancës të dhënë nga prokurori i lëndës Isuf Sadiku, njoftoi se seanca e sotme caktohet për datën 13 dhjetor, në ora 14:30.
Ndryshe, në seancën e sotme ishte paraparë të procedohej me fjalën përfundimtare të palëve. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, i akuzuari Bekim Bajrami, gjatë vitit 2019, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, drejtor në Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, në Komunën e Gjilanit, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare.
Aktakuza sqaron se i akuzuari duke anashkaluar interesin e institucionit, në kundërshtim me destinimin e planifikuar sipas planit rregullues “Livadhet e Arapit”, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dy leje ndërtimore për dy kompani ndërtimi.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi këtë rast
Monitoruese: Ronita Halimi
Lajmet në fokus