Mbrojta propozon dëgjimin e një eksperti tjetër në gjykimin për vrasje në diskotekën “City Club” të Pejës

Gjykata Themelore , Gjakove

Monitoruar nga Jeta Vula

13:49 / 03 Dhjetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë-Departamenti për Krime të Rënda, ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarit Granit Elshani, i ngarkuar për veprat penale vrasje të rëndë, tentim të vrasjes së rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm si dhe mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose përdorim i paautorizuar i armëve, raporton “Drejtësia Sot”.

Me të filluar shqyrtimi gjyqësor, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Bajraktari, njoftoi palët se gjykata ka refuzuar propozimin e bërë në shqyrtimin e kaluar nga ana mbrojtëses së të akuzuarit Elshani, avokate Kosovare Kelmendi që të shpallet si provë e pa pranueshme arma e cila i ishte gjetur të akuzuarit Granit Elshani.

Gjyqtari Bajraktari, sqaroi se lidhur me këtë provë kishte vendosur edhe Gjykata Themelore në Pejë, me aktvendim të plotfuqishëm si dhe theksoi se me rastin e kthimit në rivendosje nga ana e Gjykatës së Apelit, e njëjta nuk kishte rekomanduar gjykatën që të evidentohet si shkelje.

Tutje, pas pyetjes së gjyqtarit Bajraktari, lidhur me propozimet e tjera nga ana e palëve në procedurë lidhur me këtë çështje penale, mbrojtja i propozoi gjykatës që të ftohet edhe një inxhinier i software dhe ekspert i teknologjisë informative, Milot Shala që të jap mendimin e tij lidhur me këtë provë.

Sipas avokates Kosovare Kelmendi, eksperti Milot Shala ka një përvojë 20 vjeçare, andaj edhe mund të sqaroj sa më mirë provën e cila lidhet me gëzhojën nga fotografia numër 7, metodën të cilën e ka përdorur ky ekspert për identifikimin e kësaj gëzhoje, pasi që sipas saj metoda e përdorur nga ana e ekspertit Shala është në kontradiktë me deklarimet e ekspertit të balistikës Ilir Kukaj.

Lidhur me këtë propozim të mbrojtjes e kundërshtoi Prokurori i Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu, mirëpo i njëjti theksoi se ia lë në vlerësim të gjykatës të vendosë lidhur me këtë propozim.

Pas kësaj, trupi gjykues në përbërje të kryetarit të trupit gjykues, gjyqtar Mentor Bajraktari, dhe dy anëtarëve të tjerë, gjyqtarit Nikollë Komani dhe Shaqir Zika, aprovuan propozimin e mbrojtjes që të ftohet eksperti i teknologjisë informative Milot Shala, si dhe eksperti Ilir Kukaj, në mënyrë që të dëgjojnë edhe njëherë mendimet e tyre si dhe të analizojnë nëse këto mendime janë kontradiktore lidhur me metodat e përdorura.

Gjithashtu, gjyqtari Mentor Bajraktari, njoftoi palët se seanca e planifikuar për tu mbajtur për datën 10 dhjetor 2021, është anuluar si shkak i angazhimeve të tij dhe anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Nikollë Komani.

Andaj, pas kësaj gjykata mori aktvendim që shqyrtimi i sotëm të ndërpritet dhe i njëjti pritet të vazhdoj për datën 28 dhjetor 2021, me dëgjimin e dy ekspertëve.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, thuhet se më 2 janar të vitit 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë i akuzuari Granit Elshani, kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur.

Aktakuza më tutje shpjegon se natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por që plumbi kishte goditur Besart Shabin, i cili ishte pranë tij. Drejtësia Sot, e ka monitoruar në vazhdimësi këtë rast

MONITORUESE: JETA VULA