Në Departamentin për Krime të Rënda të gjykatës Themelore në Prishtinë, sot u mbajt shqyrtimi fillestar ndaj 10 rojeve të Qendrës së Azilit në Komunën e Lipjanit të akuzuar për kontrabandim me migrant, raporton Drejtësia Sot.
Festim Maqaj, Albin Maqaj, Qazim Maqaj, Egzon Murtezi, Agron Bajraktari, Mehmet Dulla, Gëzim Maqaj, Mujë Maçi, Kushtrim Bytyqi dhe Durim Mëziu po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprat penale “Kontrabandim me migrant” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e shtetit Dulina Hamiti ndërpreu seancën sepse palët nuk ishin të paisur me shkresat e lëndës dhe si rezultat nuk mund të deklaroheshin rreth fajësisë së tyre.
Po ashtu, obligoi prokuroren që brenda afatit 10 ditë të paisë të pandehurit me të gjitha shkresat e lëndës.
Andaj, data 12 janar 2022 me fillim në orën 9:00 u caktua për mbajtjen e seancës së rradhës ku do të deklarohen të pandehurit për fajësinë e tyre.
Ndryshe, sipas aktakuzës këta persona akuzohen se kanë kontrabanduar një numër të madh të migrantëve azilkërkues që kanë qenë të strehuar në Qendrën e Azilit në fshatin Magure Komuna e Lipjanit, duke iu marre shuma të konsiderueshme të parave për t’i dërguar deri në kufi me Sërbinë.
Me këto veprime akuzohen për veprën penale “Kontrabandim me migrantë”, nga neni 164 par.1 lidhur me par.2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Tutje, në aktakuzë Festim Maqaj, Albin Maqaj, Qazim Maqaj, Egzon Murtezi, Agron Bajraktari, Mehmet Dulla, Kushtrim Bytyqi dhe Durim Mëziu akuzohen se në cilësinë e rojes, të autorizuar të veprojnë në emër të personit juridik kompanisë së sigurimit “Rojet e nderit”, kanë shfrytëzur detyrën e tyre zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat, duke bërë kontrabandimin e një numri të madh të migrantëve azilkërkues nga Qendrën e Azilit në fshatin Magure Komuna e Lipjanit. Me këto veprime akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim I pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Monitoruar nga: Qëndresa Ismaili
Lajmet në fokus