Gjykata Themelore e Pejës, pranë Departamentit për Krime të Rënda, sot ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Demë Dashit, raporton Drejtësia Sot.
Dashi, akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës që nuk i ka përmbushur detyrat e tij si Drejtor i Inspekcionit në Pejë duke lejuar kështu ndërtime pa leje.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, Dashi, lirohet nga aktakuza pasi që nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Në arsyetimin e shkurtër lidhur me këtë vendim gjykatësja Kuka-Mekaj, ndër të tjera tha se prokuroria në aktakuzë pretendon se i akuzuari Dashi ka lejuar ndërtim dhe mbindërtim pa leje, mirëpo nuk është thënë se i njëjti nuk ka zbatuar ndonjë urdhër ashtu siç nuk është thënë që inspektorët edhe përkundër faktit që e kanë njoftuar shefin, e në mungesë të tij drejtorin, i cili në suaza të kompetencave të tij ashtu siç kanë thënë disa dëshmitarë ai është dashur të aranzhojë një kompani për rrënim.
Në fund kryetarja e trupit gjykues, theksoi se gjykata nuk mund të dal jashtë kompetencave për të vërtetuar se a e ka aranzhuar ndonjë kompani për të marrë veprime lidhur me rrënimin apo jo, gjykata lidhet vetëm në suaza të pretendimeve të prokurorisë e që në rastin konkret Drejtori i Inspekcionit nuk lëshon leje për ndërtim as për mbindërtim, kjo është kompetencë ekskluzive e Drejtoratit të Urbanizimit.
Drejtësia Sot, njofton se palët e pakënaqura me këtë vendim kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së vendimit.
Sipas aktakuzës Demë Dashi, akuzohet se nga data 07 maj 2014 e deri me 14 nëntor 2016, duke qenë në pozitën e personit zyrtar dhe atë Drejtor i Drejtoratit të Inspekcionit në Komunën e Pejës, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare.
Aktakuza tutje sqaron veprimet e të akuzuarit të cilat bien në kundërshtim me ligjin mbi ndërtimin duke lejuar ndërtimin e katërmbëdhjetë (14) objekteve banesore pa leje si dhe me tejkalim të lejeve urbanistike duke i’u mundësuar përfitime të kundërligjshme pronarëve të këtyre objekteve.
Vlen të përmendet se kjo çështje penale është zhvilluar në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Pejës dhe e njëjta pas vdekjes së gjyqtares Lumturije Muhaxheri, po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj kryetare, Arben Mustafaj dhe Musë Povataj anëtarë të trupit gjykues.
Drejtësia Sot, e ka monitoruar në vazhdimësi rrjedhën e këtij procesi gjyqësor.
Monitoruar nga Blerta Kelmendi
Lajmet në fokus