Lirohen nga akuza zyrtari i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë dhe zyrtari i MTI-së, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Elvira Rrahmani

13:38 / 24 Dhjetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

E.G. dhe H.I. të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, janë liruar nga akuza dhe janë shpallur të pafajshëm, raporton Drejtësia Sot.

Pasi që E.G., në cilësi të udhëheqësit të shërbimit të transportit në Stacioni e Autobusëve në Prishtinë dhe H.I., në cilësi të shefit të Divizionit të Inspektoratit në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, akuzohen se nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për lejimin e operimit të kompanisë ‘Sharr Travel’ në linjën Prishtinë-Prizren-Prishtinë në orarin e orës 15:15.

Kjo është bërë e ditur në shpalljen e aktgjykimit nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Medie Bytyçi, pranë Departamentit për Krime të Renda, të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjykata mbështetur në provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe pas vlerësimit të të njëjtave ka konstatuar se nuk janë provuar faktet relevante mbi bazën e të cilave ndërtohet figura e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” me të cilën ngarkohen të akuzuarit.

Po ashtu, trupi gjykues palën e dëmtuar e ka udhëzuar në kontest civil, e ndërsa palët e pakënaqura ndaj këtij vendimi kanë të drejtë ankese përmes kësaj gjykatë për Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, sipas aktakuzës e cila përfaqësohet nga prokurori Shkëlzen Ibrahimi, i akuzuari E.G., akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare sepse në cilësi të udhëheqësit të shërbimit të transportit në Stacioni e Autobusëve në Prishtinë, nuk ka mbikëqyrur zbatimin e rendeve të udhëtimit, pasi ka lejuar operatorin “Dardi Turizëm”, me pronar ish të akuzuarin F.B, që më 12 qershor 2014, të hyjë në parkingun e këtij stacioni për ofrimin e shërbimeve edhe pse nuk ka pasur rendin e udhëtimit për transportin e udhëtarëve në linjën Prishtinë-Prizren-Prishtinë, të cilën ka qenë duke e realizuar operatori “Sharr Travel”.

Ndërsa, i pandehuri H.I, akuzohet se në cilësi të shefit të Divizionit të Inspektoratit në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, nuk ka ndërmarrë masa të domosdoshme ligjore kundër këtij operatori.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast

Monitoruar nga Elvira Rrahmani.