Lexohen provat materiale dhe jep mbrojtjen e tij ish-ministri Nenad Rikallo, për rastin e njohur si “Grantet”

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Kujtim Kastrati

16:21 / 22 Dhjetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin Special të Gjykatë Themelore në Prishtinë, sot u mbajt shqyrtimi gjyqësor në rastin e njohur si “Grantet”, aty pas leximit të provave materiale dha mbrojtjen e tij ish-ministri Nenad Rikallo, raporton Drejtësia Sot.

Seanca e sotme filloj me administrimin e provave materiale ku gjykata me aktvendim miratoi shumicën e provave të propozuara nga mbrojtja, ndërsa disa prej tyre i refuzoi. Pas kundërshtimit të mbrojtes dhe sqarimit të rrethanave të cilat i bëjnë provat të ligjshme dhe të rëndësishme për t’u administruar, trupi gjykues me kryetar gjyqtarin Mentor Bajraktari rishqyrtoi propozimet e mbrojtjes dhe duke ndryshuar aktvendimin e mëparshëm, pranoi provat e mbështetura tashmë me arsyetim nga mbrojtja.

Pas leximit të provave pa vërejtje të palëve, seanca e sotme vazhdoi me dëgjimin e të akuzuarit Nenad Rikallo, i cili dha mbrojtjen e tij duke u deklaruar se nuk e kishte shkelur ligjin, por kishte vepruar në përputhje me të, kur kishte ndërmarrë veprimet për të cilat po akuzohet. Ai tha se bazë për ligjshmërinë e veprimeve të tij është legjislacioni i brendshëm si dhe provat e propozuar nga mbrojtja, ndërsa meqë nuk ka procedurë të qartë të shkruar se si bëhet programi i veçantë, edhe sikur të mos kishte vepruar sipas sugjerimeve të qeverisë por të kishte ndërmarrë vet veprimet në fjalë përsëri nuk do të përbënin shkelje të ligjit.

Meqë marrja në pyetje nga mbrojtja zgjati, me propozimin e prokurores së rastit dhe për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme përfundoi ndërsa i akuzuari Rikallo do të vazhdoj mbrojtjen e tij në seancën e radhës. Ndërsa seancat e radhës u caktuan të mbahen me 28 janar, 16 dhe 22 shkurt 2022, me fillim në ora 9:30.

Rikujtojmë se sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurorja speciale Habibe Salihi, i pandehuri Nenad Rikallo në cilësinë e Ministrit të MBPZHR, ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedura të rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR.

Po ashtu, më 26.03.2018 në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, me ç’rast edhe programin e dorëzon vetë, të përfunduar, (ndërsa komisionin e kishin formuar vetëm formalisht).

Ndërsa, i pandehuri Kapllan Halimi në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në MBPZHR, ka tejkaluar kompetencat e tij, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim të kundërligjshëm kompanive të ndryshme. Aktakuza thotë se ai ka emëruar grupin punues në përbërje prej 11 anëtarësh për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë në dijeni se ky grup nuk është kompetent dhe nuk ka njohuri për përpilimin e këtij programi, derisa ishte në dijeni se ky grup ishte vetëm formal, duke ditur se drafti është dorëzuar nga vetë ministri Nenad Rikallo.

Tutje sipas aktakuzës i pandehuri Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në MBPZHR, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ nr. 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098, për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QRK) nr. 37/2013. Aktakuza pretendon se këto veprime janë ndërmarrë duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për Zhvillim Rural në MBPZHR.

Ndërsa, i pandehuri Ekrem Gjoka, në cilësinë e personit zyrtar Ushtrues i Detyrës së Kryeshefit të AZHB-së, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin për formimin e grupit punues, i cili do të bënte kontrollin administrativ, vlerësimin, miratimin dhe kontraktimin e projekteve të masës së infrastrukturës rurale, duke anashkaluar faktin se ky ekip duhej të formohet nga drejtori, të monitorohej nga drejtori dhe të raportonte te Drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve dhe Zhvillim Rural. Kështu që, i pandehuri Ekrem Gjoka, me qëllim ka vepruar në atë mënyrë që t’u mundësonte përfitim kompanive të ndryshme në mënyrë të kundërligjshme, ngase vetë ishte pjesë e grupit kur ministri ua kishte dorëzuar draftin e gatshëm.

Aktakuza thotë se këta të pandehur duke vepruar në ketë mënyrë, buxhetit të Republikës së Kosovës në bashkëveprim i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4 milion euro.

Me këto veprime të pandehurit Nenad Rikallo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri, dhe Ekrem Gjoka, në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Po ashtu, Shklezen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, më  14.08.2018, në bashkëveprim si persona zyrtarë pranë MBPZHR-së, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme i kanë mundësuar përftim të kundërligjshme disa kompanive, të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 09/2018, për zbatimin e programit te veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”. Prandaj, sipas aktit akuzues ata në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:

Monitoruar nga Kujtim Kastrati