Komisioni për Rekrutimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), më 30 nëntor 2021, ka publikuar listat e rezultateve të 277 kandidatëve që iu kanë nënshtruar testit kualifikues për 16 pozita të prokurorit të shtetit në kuadër të prokurorive themelore, raporton Drejtësia Sot.
Lista e plotë e kandidatëve që kanë kaluar testin kualifikues është e qasshme në këtë link, ndërsa listën e 100 kandidatëve të tjerë që nuk e kanë kaluar këtë testim e gjeni në këtë link.
Kandidatët që nuk kanë arritur të marrin 45 pikë nga 60 sa ishte totali i pikëve të testit kualifikues, kanë pasur të drejtë të bëjnë shikimin e testeve të tyre dhe gjithashtu të parashtrojnë ankesë deri më 3 dhjetor 2021.
Testi kualifikues për 16 pozita për prokurorë të shtetit është mbajtur më datë 21 nëntor 2021, ku nga 362 kandidatë që kishin aplikuar, këtij testimi i janë nënshtruar vetëm 277, pasi që 85 prej tyre nuk ishin paraqitur fare në ditën kur është organizuar kjo fazë e rekrutimit.
Kandidatët që kanë kaluar këtë testim e fitojnë të drejtën ti nënshtrohen testit me shkrim dhe më pas do të organizohet edhe faza e intervistimit.
Procesi i rekrutimit të prokurorëve të rinj rregullohet me dispozitat e Rregullores Nr. 07/2015 për rekrutimin, provimin, emërimin dhe riemërimin e prokurorëve të shtetit.
Kujtojmë që konkursi për prokurorë të shtetit në kuadër të prokurorive themelore të Republikës së Kosovës fillimisht ishte shpallur më 22 maj 2020, për tetë pozita, me ç’rast KPK kishte publikuar listën fillestare të kandidatëve të cilët i kishin plotësuar kriteret.
Më pas, kësaj liste i ishin shtuar edhe tetë kandidatë të tjerë, të cilët e kishin dëshmuar se aplikimin e kishin kryer online.
Me këtë rast, numri i kandidatëve nga 202 sa ishin në fillim, tani përbëhej nga 210 të tillë, të cilët kishin aplikuar për një nga pozitat për prokurorë të shtetit në kuadër të pesë prokurorive themelore në nivel vendi.
Për shkak të pandemisë Covid-19, nuk ishte arritur të mbahet asnjë fazë e këtij konkursi si dhe me qëllim që të plotësohen edhe disa pozita më shumë me prokurorë të shtetit, KPK, më datë 27 prill 2021, kishte ri-shpallur këtë konkurs, me ç’rast, nga tetë pozita të lira sa ishin në fillim, ishte vendosur që të shpallen gjithsej 16 vende të lira për Prokurorë të Shtetit në Departamentin e Përgjithshëm në kuadër të gjashtë prokurorive themelore.
Rritja e numrit të pozitave të lira ishte arsyetuar nga ana e Kryesuesit Jetish Maloku edhe për faktin se gjatë vitit paraprak kishin vdekur 5 prokurorë të shtetit ndërsa gjatë vitit 2021, do të pensionohen 6 prokurorë të tjerë.
Konkursi i ri-shpallur përfshin nga katër pozita në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe në Gjakovë, tre pozita në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, nga dy pozita në Prokurorinë Themelore në Pejë dhe në Gjilan, dhe një pozitë në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Me qëllim të kompletimit të procedurave, KPK në takimin nr, 198, i mbajtur më 27 prill 2021, kishte themeluar Komisionin për Rekrutim dhe Komisionin për Rishqyrtim, si dhe kishte caktuar administratore të provimit, znj. Ismije Maxhuni.
Në bazë të legjislacionit në fuqi, kandidatët për emërim për Prokurorë të Shtetit, duhet t’i plotësojnë këto kushte: të jetë shtetas i Republikës së Kosovës; të ketë diplomën e fakultetit juridik të vlefshëm në Kosovë; të ketë kryer provimin e jurisprudencës, të pranuar sipas Ligjit të aplikueshëm në Kosovë; të ketë reputacion të lartë profesional dhe integritet personal; të mos jetë i/e dënuar për një vepër penale; të ketë së paku tri (3) vite përvojë në fushën juridike, dhe të ketë kaluar provimin për prokurorë, në pajtim me kushtet dhe procedurat e përcaktuara me rregullore të veçantë të miratuar nga Këshilli.
Po ashtu, përvoja në fushën juridike përfshin edhe përvojën në çështje juridike në institucionet dhe organizatat vendore dhe ndërkombëtare, përvojën si noter dhe përmbarues privat.
KPK-ja ka aprovuar kërkesën e Drejtësia Sot për monitorimin e këtij procesi për të cilin raportohet në vazhdimësi, link:
Monitorues Liridon Salihi
Lajmet në fokus