Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 273-të më radhë, ku ndër pikat e diskutimit ishte edhe aprovimi i rekomandimeve nga raporti i Komisionit për Trajnime, raporton Drejtësia Sot. Sipas Kryetarit të Komisionit për Trajnime, profesor Vilard Bytyqi, raporti përfshinë rekomandime që kanë të bëjnë me koordinimin ndërinstitucional për organizimin dhe mbarëvajtjen e trajnimeve gjyqësore.
Nga rekomandimet e Komisionit që i përfshin raporti e që u aprovuan në këtë takim janë: KGJK të kërkoi nga kryetarët e gjykatave që të marrin pjesë aktive në dizajnimin e trajnimeve ndërsa gjyqtarët të paraqesin kërkesat e tyre për ndjekjen e trajnimeve, Akademia e Drejtësisë (AD) t’i raportoi KGJK-së mbi procesin e përfshirjes së kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve në nevojat për trajnim, dhe të kërkohet nga AD që të avancoi procesin dhe hartimin e programit trajnues.
Po ashtu, u aprovuan rekomandimet që KGJK të kërkoi nga AD që të krijoi një procedurë standarde sa i përket aprovimit, publikimit dhe përditësimit të materialeve trajnuese, dhe AD të rishikoi teknikat e trajnimeve, të bëj vlerësimin dhe përzgjedhjen e trajnerëve.
Rekomandimet tjera nga raporti kanë të bëjnë me koordinimin paraprak mes AD-së dhe gjyqtarëve lidhur me caktimin e kohës për mbajtjen e trajnimeve të jashtme, kërkesa që gjyqtarët të koordinohen me kryetarët e gjykatave lidhur me pjesëmarrjen në trajnime, dhe kërkesa që gjyqtarët të marrin aprovimin e Kryesuesit të KGJK-së për ndjekjen e trajnimeve jashtë vendit.
Tutje, rekomandohet që KGJK së bashku me AD të hartojnë një plan trajnues për kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarët mbikëqyrës, ekskluzivisht në fushën e menaxhimit dhe udhëheqjes së institucionit ku ata janë të angazhuar, KGJK të kërkoi nga AD që të finalizoi programin trajnues për bashkëpunëtorët profesional, ndërsa kërkohet nga Administratorët e gjykatave që rregullisht të identifikojnë stafin jo-gjyqësor që kanë nevojë për pjesëmarrje në trajnime.
Kujtojmë që Komisioni për Trajnime merret me çështjet që lidhen me trajnimin e gjyqtarëve, duke përfshire llojet e trajnimeve, si dhe bënë përcaktimin e strukturës menaxhuese në kuadër të KGJK-së dhe gjykatave.
Në ushtrimin e funksioneve të tyre, Komisioni bashkëvepron nga afër me Akademinë e Drejtësisë së Kosovës. Në bazë të Rregullores për trajnimin gjyqtarëve, ndër të tjera, Komisioni ka kompetencë që të këshillojë Këshillin dhe institucionet tjera përkatëse lidhur me trajnimin dhe programet tjera edukative për gjyqtarë, gjyqtarë porotë dhe stafin administrativ, dhe të koordinojë aktivitetet lidhur me trajnimin e gjyqtarëve në kuadër të KGJK-së dhe gjykatave, përfshirë procesin e identifikimit të nevojave të trajnimit.
Ndryshe, në takimin e sotëm, anëtarët e KGJK-së kanë shqyrtuar dhe miratuar ekstraktin e procesverbalit të takimit 272, të datës 30 nëntor 2021.
Tutje, anëtarët e KGJK-së votuan edhe për ndryshim/plotësimin i vendimit KGJK.nr.308/2021 për Komisionin për Rishqyrtim të ankesave të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatat Themelore të Republikës së Kosovës, ashtu që në vend të anëtarit rezervë të këtij Komisioni, gjyqtarit Fidan Hoxha, u caktua gjyqtarja Drita Rexhaj.
Më këtë rast, duke qenë se Këshilli aktualisht ka 10 anëtarë, nga 13 sa parashihet me legjislacionin në fuqi, Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, bëri thirrje që të procedohet më shpejt lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Më pas, KGJK ka themeluar grupin punues të kryesuar nga UD Kryetari i Gjykatës së Apelit, Afrim Shala, për korrigjimin dhe dizajnimin e dërgesave postare, përfshirë edhe hartimin e një udhëzuesi për dërgesat postare. Takimi ka vazhduar me aprovimin e kërkesës së UD Kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren, Artan Sejrani, për caktimin e mentorëve për gjyqtarë të rinj në këtë gjykatë.
Kësisoj, u vendos që në cilësinë e mentorëve të caktohen gjyqtarët Fatmir Krasniqi, Gani Kastrati dhe Sadije Selmani. Këshilli ka trajtuar dhe aprovuar kërkesën e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komani, për transferim të përkohshëm, jo më gjatë se gjashtë muaj, të gjyqtarit Mentor Bajraktari, i cili aktualisht është gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Pa praninë e mediave dhe publikut, takimi i KGJK-së vazhdoi me këto pika të rendit të ditës: Kërkesë për themelimin e Panelit Hetimor në rastin disiplinor ADGJL.nr.03/2021; Shqyrtimi i ankesës ndaj vendimit KVP.nr.20/061/2021, të datës 13 tetor 2021; dhe Shqyrtimi i ankesës ndaj vendimit KVP.nr.21/2021, të datës 17 nëntor 2021.
Drejtësia Sot në vazhdimësi raporton për takimet e KGJK-së, link:
Monitorues Liridon Salihi
Lajmet në fokus