Ka vazhduar administrimi i provave materiale në gjykimin ndaj zyrtarëve policor të Leposaviqit të akuzuar për krim të organizuar

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Elvira Rrahmani

13:42 / 15 Dhjetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Është vazhduar me administrimin e provave materiale nga Prokurori Special, në gjykimin ndaj zyrtarëve policor Ana Vasoviq – Barac, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, të akuzuar për krim të organizuar në Leposaviq, raporton Drejtësia Sot.

Pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ana Vasoviq – Barac, Veroljub Dimitrijeviq, dhe Izet Uskoviq, akuzohen se duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare si polic kufitar kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e Ryshfetit”.

Ashtu siç ishte paraparë, Prokurori Special ka përpiluar një raport dhe ja ka bashkangjitur edhe CD, për pjesët e veçuara të përgjimeve. Pastaj ka vazhduar shikimi i disa CD-ve të datës 11 mars dhe 11 korrik 2017, ku vërehet se si e akuzuara Ana Vasoviq – Barac me uniforme, ka dalë nga vetura ka hyrë në një depo në Leposaviq, pastaj ka dalë dhe ka vazhduar më tutje me veturën e saj.

Por edhe pse prokurori kishte përpiluar raportin me të gjitha transkriptat nga CD, mbrojtja vazhdonte të këmbëngulte që të dëgjohen audio incizimet e datave 18,19,23 dhe 27 prill 2019, e një gjë e tillë nuk u mundësua për shkak të disa problemeve teknike dhe mos përputhjes së kohëve të paraqitura në transkripta me ato nga CD.

Andaj në këtë drejtim trupi gjykues ka shtyer seancën që t’i jap kohë prokurorit të rregulloj këto lëshime teknike, dhe seanca e radhës është caktua të mbahet me 12 janar 2022 me fillim në ora 09:30

Kujtojmë se në këtë çështje penale ishin të akuzuar edhe Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq, për “Kontrabandë me mallra” dhe “Dhënia e Ryshfetit” të cilët kanë pranuar fajësinë për veprat penale në shqyrtim fillestar, dhe gjykata ka shqiptuar dënimin ndaj tyre.

Ndryshe, sipas aktakuzës të PSRK-së të datës 23.04.2020, e cila përfaqësohet nga prokurori Burim Qerkini, të pandehurve Ana Vasoviq – Barac, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, akuzohen se gjatë viteve 2016 – 2019, në cilësinë e zyrtarëve policorë, si grup i organizuar, kanë udhëzuar dy të akuzuarit e tjerë, Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq, se në cilat vende dhe në çfarë kohe të bëjnë kontrabandim të mallrave, nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas.

Këta zyrtarë policor, duke vepruar si anëtarë të grupit kriminal, kanë marrë pjesë aktive në kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e Ryshfetit”, ashtu që, lidhur me kalimin ilegal të mallrave si ushqim, drunjë, barna dhe derivate, zyrtarët policor kanë marrë shuma të ndryshme të parave për çdo automjet dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30 – 50 euro për furgona dhe 100 – 150 euro për çdo kamion.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:

Monitoruar nga Elvira Rrahmani