Jepet fjala hyrëse në rastin ndaj ish-zyrtarëve policor të Veriut, të akuzuar për korrupsion

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Donjeta Pllana

15:18 / 09 Dhjetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Është dhënë fjala hyrëse në rastin ku 20 zyrtarë policor po akuzohen për ‘Keqpërdorim të pozitës zyrtare’ dhe ‘Marrje ryshfeti’, raporton Drejtësia Sot.

Zyrtarët policor me iniciale Z.S., B.N., A.H., A.M., M.M., O.K., R.M., D.S., D.K., J.D., Z.B., B.M., A.P., Z.R., K.S., R.K., V.T., B.T., L.V., B.M., B.L., dhe N.G., akuzohen se duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare si zyrtarë policor u kanë ndihmuar personave të tjerë të kontrabandojnë mallra nga Serbia për në Republikën e Kosovës.

Me të filluar kjo seancë u konstatua se pushon procedura penale ndaj të akuzuarit B.M., për shkak se i njejti ka ndërruar jetë, ndërkaq që u veçua procedura edhe ndaj të akuzuarit K.S., për po të njejtën arsye mirëpo për shkak se avokati i tij mbrojtës vetëm e njoftoi gjykatën gojarisht dhe aktvdekjen do e sjell një ditë tjetër procedura  për të vetëm u veçua, duke lënë kështu numrin e përsonave që pritet për tu gjykuar nga 22 në 20 persona.  

Seanca vazhdoi me leximin e aktakuzës ku të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që u vihen në barrë me përjashtim të të akuzuarve Z.B., dhe B.M., të cilët pranuan fajësinë. Avokatët e tyre mbrojtës deklaruan se të njejtit i kanë informuar palët e tyre për benefitet e pranimit të fajësisë dhe se të njejtit një gjë të tillë e bëjnë me vullnet të plotë. Në lidhje me këtë pranim të fajësisë Prokurori Special Burim Qerkini, u deklarua se parimisht e mbështet pranimin e fajësisë nga këta dy të akuzuar, mirëpo konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Rëpublikës së Kosovës (KPPRK), për shkak se të dy këta të akuzuar kanë cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues aprovimi i fajësisë së tyre të bëhet nga gjykata vetëm pasi të njejtit të kenë kryer obligimin e tyre dhe të kenë dëshmuar pranë kësaj gjykate. Tutje shtoi se nëse të njejtit qëndrojnë pranë deklarimeve të tyre të bëra si dëshmitar bashkëpunues atëherë PSRK do të propozoj dënimet për këta të akuzuar duke llogaritur edhe bashkëpunimin e tyre me këtë institucion.

Trupi gjykues refuzoi pranimin e fajësisë nga këta dy të akuzuar me arsyetimin se veprat penale për të cilat ngarkohen të akuzuarit janë kryer në bashkekryerje, dhe trupi gjykues nuk është i bindur se janë vërtetuar rrethanat e gjendjes faktike. Të njejtit shtuan se në përfundim të shqyrtimit gjyqësor në rast se të njejtit gjykata i gjen dhe shpall fajtor pranimi i fajësisë do të konsiderohet si një rrethanë lehtësuese në matjen e dënimit. Në lidhje me këtë vendim kundërshtime të mëdha kishin Prokurori Qerkini si dhe mbrojtja e të akuzuarve.

Seanca tutje vazhdoi me fjalën hyrëse të palëve në procedurë. Kështu prokurori Qerkini theksoi se dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit e pranishëm kanë kryer veprat penale që u vihet në barrë do të vërtetohet me anë të provave personale dhe atyre materiale, e duke cekur shprehimisht edhe dy dëshmitarët anonim të propozuar me aktakzuzë. Ai tutje shtoi se zyrtarët policor këtu të pranishëm kanë qenë në dijeni për kontrabandimin e mallrave dhe kanë pasur situatën nën kontroll. Se të njetit kanë komunikuar me telefona të veçantë me kontrabanduesit duke u mundësuar hyrjen pa ndonjë kontroll në pikat kufitare të cilat nuk ishin të patrolluara, krejt kjo me qëllim të përfitimit të shumave të ndryshme të parave. Si përfundim gjykatës i propzoi që të njejtit ti shpall fajtor dhe ti dënoj sipas ligjit.

Avokatët mbrojtës të secilit nga të akuzuarve veç e veç u deklaruan se aktakuza me të cilën sot përballen është një aktakuzë e mangët, dhe se asnjëra nga provat e propozuara nuk do të vërtetojë elementet e veprave penale për të cilat akuzohen të mbrojturit e tyre. Ata tutje shtuan se dihet se aktakuza flet për marrje të ryshfetit e jo edhe për atë se kush ka bërë dhënien e ryshfetit në fjalë. Të njejtit poashtu kontestuan përgjimet si prova të papranushme duke konsideruar se të njejtat janë urdhëruar të merren nga dy zyrtarë policor të cilat sipas Ligjit për Policinë nuk mund të merren ndaj kolegëve të tyre. Të njejtit theksuan se nga ky shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e këtu të akuzuarve duke bërë që gjykata të nxjerrë aktgjykim lirues në këtë drejtim.

Pas përfundimit të fjalës hyrëse gjyqtarja Shadije Gërguri ndërpreu këtë seancë gjyqësore për të vazhduar të rradhës me datë 27 janar dhe 03 shkurt, ku pritet të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve bashkëpunues në këtë çështje penale.

Kujtojmë se në aktakuzë kanë qenë të përfshirë 33 persona, e ku 22 prej tyre janë zyrtarë policor të cilët po gjykohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të rryshfetit. Ndërkaq që gjykata ka veçuar procedurën penale për 11 të akzuaur të tjerë për veprën penale “Kontrabandim me mallra”, dhe të cilët gjykohen në po të njejtin departament të kësaj gjykate.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria speciale, 22 zyrtarët policor që nga viti 2017 e deri në muajin maj të vitit 2019, në cilësinë e personave zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën ose autoritetin zyrtar, me dashje nuk kanë kryer detyrat e përcaktuara me ligj, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Aktakuza sqaron se duke mos përmbushur detyrat zyrtare ata iu kanë mundësuar 11 akuzuarve tjerë përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore ashtu që i kanë lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshme, si: kafshë, derivate, pije alkoolike dhe joalkoolike dhe mallra ushqimore nga Serbia për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale.

Kujtojmë që ish-prokurori special, Sylë Hoxha, ka përcjellur fazën e hetimeve e cila ka rezultuar me arrestimin e disa nga të akuzuarve më 28 maj 2019.

Po në këtë ditë, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të udhëhequr nga PSRK-ja, ka zbatuar urdhër-kontrollin në disa lokacione, ndër to edhe në pjesën veriore të Mitrovicës.

Këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disamujor i IPK-së dhe PK-së, me dyshimin e bazuar se disa zyrtarë policorë dhe qytetarë ishin përfshirë në veprat penale: “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, “Kontrabandim me mallra”, “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “Dhënie e ryshfetit”, “Tregti e ndaluar”.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:

Monitoruar nga Donjeta Pllana.