Jep mbrojtjen ish-drejtori i Inspekcionit në Komunën e Pejës, i akuzuar për korrupsion

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Selvije Morina

10:01 / 09 Dhjetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Pranë Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën e Pejës, ka vazhduar gjykimi për keqpërdorim të detyrës ndaj ish-drejtorit të Inspekcionit Demë Dashi, raporton Drejtësia Sot.

Dashi, akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës që nuk i ka përmbushur detyrat e tij si Drejtor i Inspekcionit në Pejë duke lejuar kështu ndërtime pa leje.

Në seancën e shqyrtimit të sotëm prokurori i rastit Ali Uka, i propozoj gjykatës që raporti i auditimit të administrohet si provë ndërsa u tërhoq nga propozimi që të administrohet si provë transkripta e bisedave telefonike të zhvilluara në mes të akuzuarit Demë Dashi dhe inspektorit Pashk Berisha në lidhje me investitorin Valdet Berisha, duke shtuar se raporti i përpiluar mbi përgjimet nuk kishte dyshime se ato biseda kanë të bëjnë me rastin në fjalë dhe se pas precizimit të aktakuzës rasti i investitorit Berisha, nuk është më objekt i akuzës.

Me propozimet e prokurorit Uka, u pajtua mbrojtja ndërsa trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtarja Nushe Kukaj-Mekaj, aprovoi propozimet e prokurorit dhe më pas ftoi të akuzuarin Dashi për të dhënë mbrojtjen e tij. I akuzuari Dashi, mbrojtjen e fillojë duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij avokatit Gëzim Kollçaku.

Kështu Dashi, deklaroi se funksionin e detyrës së Drejtorit të Inspekcionit e kishte kryer nga vitit 2014 gjerë në vitin 2016 dhe se ky post ishte politik. Tutje i akuzuari Dashi, deklaroi se në periudhën për të cilën akuzohet nga prokuroria, inspektorët kanë pasur shefin e divizionit të inspekcionit të ndërtimtarisë ku këtë pozitë gjerë në vitin 2016 e kishte Sylejman Syla e më pas në vend të tij ishte emëruar Agron Kastrati.

Më pas në pyetjen e mbrojtësit të tij avokatit Kollçaku, se kush e përpilon aktvendimin për rrënimin e objekteve Dashi, deklaroi se vendimin për rrënim dhe të gjithë procedurën administrative e zhvillonte inspektori i ndërtimit duke shtuar se të njëjtit nuk kanë pasur për obligim ta njoftojnë Drejtorin e Inspekcioni pasi kishin shefin e divizionit duke shtuar se drejtori njoftohej nga inspektorët lidhur me rrënime vetëm për rastet me rrezikshmëri të lartë. Po ashtu Dashi, tha se zyrtarisht nuk ka qenë obligim e as kompetencë e tij ta bëjë organizmin e procedurës së rrënimit por ka pasur raste kur ka dalë në vendngjarje së bashku me inspektorë për rrënim.

Ndryshe në pyetjen e kryetares së trupit gjykues gjyqtares Kukaj-Mekaj së cilat kanë qenë detyrat e Drejtorit të Inspekcionit, Dashi deklaroi se detyrat e drejtorëve rregulloheshin me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale mirëpo të njëjtit nuk kishin përshkrim të vendit të punës dhe se detyrat e tyre delegoheshin nga kryetari. Ndërsa në pyetjen se rastet që janë objekt i aktakuzës a janë paraqitur në kundërvajtje, Dashi deklaroi se për shumicën e këtyre rasteve është në dijeni se janë paraqitur në Gjykatën për kundërvajtje dhe për të njëjtat ka pasur kallëzime penale. Dashi, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij deklaroi se ka pasur rastet kur inspektorët kanë bërë rrënime dhe ai nuk ka qenë në dijeni sepse ato raste kanë qenë më rrezikshmëri të vogël dhe se inspektorët nuk kanë qenë të obliguar ta njoftojnë.

Me përfundimin e dhënies së mbrojtjes nga i akuzuari përfundoi edhe shqyrtimi i sotëm ndërsa seanca e radhës u caktua për datën 09 dhjetor 2021, ku pritet të jepet fjala përfundimtare.

Drejtësia Sot, e ka monitoruar në vazhdimësi rrjedhën e këtij procesi gjyqësor

Monitoruese Selvije MORINA