Japin mbrojtjen mjeku dhe infermieri të cilët akuzohen për korrupsion

Gjykata Themelore , Ferizaj

Monitoruar nga Qendresa Ismaili

15:37 / 02 Dhjetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot u administruan provat materiale dhe u dha mbrojtja në rastin ku mjeku Petrit Xhaka dhe infermieri Liridon Mehmeti po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti, raporton Drejtësia Sot. Petrit Xhaka mjek dhe Liridon Mehmeti infermier po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke marrë ryshfet nga prindi i një pacienti, për ta transportuar atë në Tiranë.

Në fillimin e seancës së sotshme u administruan provat e propozuara nga prokurori i rastit Zenjullah Gashi dhe nga avokatja mbrojtëse e mjekut Petrit Xhaka, Saranda Keqekolli të cilat u mbështetën edhe nga avokatja mbrojtëse e Liridon Mehmetit, Mirela Beqiraj.

Pastaj, seanca vazhdoi me dhënien e mbrojtjes së të pandehurit Petrit Xhaka, i cili dëshmoi se në ditën kritike ai kishte vendosur të shkonte me auto-ambulncë për ta shoqëruar paicenten deri në Tiranë, pas orarit të punës dhe vetëm për arsye se pacientja kishte qenë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

Ai gjithashtu shtoi se nuk kishte kërkuar para nga prindi i pacientit, por ai vetë iu kishte lënë në prehër 50 euro.

Në këtë seancë e dha mbrojtjen edhe infermieri Liridon Mehmeti, i cili në deklaratën e tij tha se në ditën kritike ai kishte qenë në orarë të punës në Emergjencë dhe ka gjetur një zëvendësim që të mund të udhëtonte deri në Trianë.

Ai theksoi se këtë punë e kishte bërë për arsye humane për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të pacientes, dhe se nuk i kishte kërkuar para prindit të pacientes, por ai vetë ia kishte lënë 50 euro në prehër.

Në fund të kësaj seance u dha fjala përfundimtare nga prokuroria dhe mbrojtja. Prokurori Gashi në fjalën e tij përfundimtare tha se qëndronte në tërësi prapa aktakuzës së datës 18 shtator 2021 dhe se me të gjitha provat e propozuara vërtetohet se të akuzuarit janë fajtorë për veprat penale që ngarkohen në aktakuzë.

Ndërsa, mbrojtja deklaroi se fjalën përfundimtare të elaboruar më gjerësisht do ta dorezonin me shkrim, kurse në pika të shkurtëra thanë se prokuroria nuk ka arritur me asnjë provë të vërtetojë se të pandehurit janë fajtorë për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarja Naime Jashanice kryetare, Agim Kuqi dhe Mehdije Bytyqi gjyqtarë anëtarë, pasi shpallën këtë çështje penale të përfunduar, caktuan datën 8 dhjetor 2021 me fillim në orën 08:30 për shpallje të aktgjykimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur më datë 18 shtator 2018, thuhet që Petrit Xhaka akuzohet se në cilësinë e mjekut, ndërsa Liridon Mehmeti në cilësinë e infermierit, kishin marrë 100 euro ryshfet, nga i dëmtuari G.H., babi i pacientes S.H, për përcjelljen e saj me autoambulancë për shërim në Tiranë.

Ky rast ishte lajmëruar në polici nga vet i dëmtuari Halili, të cilëve pastaj u konfiskohen dy kartëmonedha në vlerë prej 50 eurosh.

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast

Monitoruar nga: Qëndresa Ismaili